Dy vjet nga sulmi terrorist në Banjskë, në Kosovë vazhdon po gjykohen tre serbë, të tjerët në arrati

Mëngjesi i 24 shtatorit të vitit 2023, ishte fatal për policin e Kosovës, Afrim Bunjaku.

Një grup terrorist nga Serbia, me në krye Milan Radoiçiqin, hyn në Banjskë, me synimin për të aneksuar pjesën veriore të Kosovës.

Për pasojë, polici Bunjaku humbi jetën.

Beteja ishte e ashpër gjatë gjithë ditës ndërmjet sulmuesve dhe Policisë së Kosovës, ku u vranë disa terroristë, kurse tre u arrestuan.

Të tre, tashmë po përballen me drejtësinë në Kosovë, dhe procesi gjyqësor po vazhdon.

Kurse, dhjetëra të tjerë janë ende në arrati në Serbi, përfshirë udhëheqësin e grupit, Radoiçiq.

Dëshmitë e policëve në gjykim

Polici Sedat Dushi, ka dëshmuar për sulmin terrorist në Banjskë.

Ai e ka përshkruar në detaje komplet ngjarjen.

“Jemi nisur me dy automjete. Rrugës për në fshatin Banjskë, para se të arrinim te vendi i ngjarjes, kemi ndaluar një veturë të dyshimtë që po lëvizte ngadalë. E kemi kontrolluar, personi nuk kërkohej, por kemi gjetur një antenë të radiolidhjes Motorola”, tha ai.

“Edhe pa u pozicionuar mirë ka shpërthyer një detonim i fuqishëm. Nga ai detonim më duket se jam ngritur nga toka. Më pas kanë filluar të shtënat e pandërprera, me armë të kalibrave të ndryshëm. Kishim të bëjmë me një sulm të përgatitur mirë, nga shumë pozicione”, tha ai.

“Kam vërejtur shkëndija zjarri nga persona që shtinin në ne, me armë në dorë, me uniformë që ngjanin me uniformë ushtarake. Nuk mund të them ngjyrën pasi ishte natë. Disa me kapela dhe me maska. Nuk di t’i identifikoj: 20, 25 apo 30 veta. Nga ana tjetër e lumit na shtinin pa ndërprerje”, tha Dushi.

Në kushte të vështira, me ndihmën e kolegëve, kishin arritur ta tërheqin trupin e rreshterit Bunjaku dhe ta nisnin për në emergjencë.

“Me vështirësi kolegët kanë arritur të vendosin trupin e Afrimit në automjet. Edhe kolegu Albani u ka ndihmuar. Është nisur automjeti në drejtim të Mitrovicës, është goditur automjeti, është dëgjuar goma që është goditur, por ata kanë vazhduar drejt emergjencës”, tha ai.

Pas sulmit, Dushi tha se ka përjetuar trauma të rënda fizike dhe psikologjike.

“Kam kërkuar shërbime mjekësore, kam pasur terapi psikologjike dhe psikiatrike. Pas ekzaminimeve të bëra nga mjekët dhe raportet e tyre, unë kam humbur dëgjimin rreth 30 për qind. Shpesh herë vajza thoshte se babi nuk po dëgjon. Nuk i kam treguar me detaje fëmijëve”, tha ai.

Për fund, ai theksoi se si zyrtarë policorë kanë qenë të kujdesshëm edhe gjatë shkëmbimit të zjarrit, për të shmangur ndonjë dëmtim të mundshëm të banorëve të fshatit.

“Ka qenë vështirë të marrim në shenjë personat sulmues, duke u frikësuar që mos po dëmtojmë ndonjë qytetar, banorët e fshatit që në atë kohë mund të kenë dalë në dritare për të parë çka po ndodh. Kjo është dëshmia më e mirë që asnjë nga banorët nuk ka pësuar as dëm fizik, as në pronë”, u shpreh Dushi. 

Zyrtari i Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë në kuadër të Policisë së Kosovës, Alban Rashiti, ka treguar në detaje çdo pikë se çfarë ka ndodhur gjatë sulmit terrorist në Banjskë.

Rashiti, gjatë dëshmisë së tij para trupit gjykues sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, rrëfeu edhe për momentin e rënies heroike të rreshterit Afrim Bunjaku.

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka vazhduar edhe sot seanca gjyqësore ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, i cili kishte ndodhur më 24 shtator 2023.

Para trupit gjykues, dëshminë e ka dhënë zyrtari i Policisë së Kosovës, Elez Peci.

Në dëshminë e tij, ai deklaroi se kishte qenë i afërt me rreshterin Afrim Bunjaku.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button