Hargreaves: Kosova duhet të mbështetet mbi themelin që e solli te njohja e shtetit, Planin e Ahtisaarit

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë” shprehu shqetësimet e tij për gjuhën dhe veprimet ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe për siç e quan ai, disa veprime që janë ndërmarrë gjatë muajve të fundit në veri të Kosovës.
Hargreaves theksoi se është e rëndësishme që Kosova të mbetet e angazhuar me themelin që e ka çuar deri në njohjen ndërkombëtare, veçanërisht mbi Planin e Ahtisaarit.
“I kemi disa shqetësime, që i ndajmë me partnerët e tjerë ndërkombëtarë. I përmenda disa prej këtyre shqetësimeve për gjuhën ndaj Gjykatës Kushtetuese. I kemi thënë publikisht. E kam thënë publikisht se jam i shqetësuar për disa prej veprimeve që janë ndërmarrë, veçanërisht në veri të Kosovës gjatë muajve të fundit, të cilat nuk janë bërë në konsultim të mirëfilltë me komunitetet e prekura, dhe të cilat kanë nxitur frikë dhe paqëndrueshmëri në këto komunitete”.
“Brengosem kur dëgjoj njerëzit duke vënë në pikëpyetje themelin e këtij shteti, i cili, nga këndvështrimi ynë, mbështetet në Planin e Ahtisaarit, siç pasqyrohet në Deklaratën e Pavarësisë dhe në Kushtetutë; i cili formon lidhjen themelore ndërmjet vendeve tona, sepse pikërisht mbi këtë themel ne e mbështetëm ndihmën tonë thelbësore që Kosova të fitonte njohje nga mbi 100 vende”, vijoi tutje ai.
Ambasadori Hargreaves gjithashtu foli për rëndësinë e mbrojtjes së komuniteteve joshumicë në Kosovë, duke theksuar se zbatimi i parimeve të mbrojtjes së këtyre komuniteteve është i domosdoshëm për të siguruar se ata ndihen të mbrojtur dhe të integruar në shoqëri.
“Brengosem kur i dëgjoj njerëzit duke e hapur atë diskutim, sepse unë mendoj që është shumë e rëndësishme që Kosova të vazhdojë të mbështetet mbi atë themel që i solli njohjet shtetit. Në veçanti, është tejet e rëndësishme mbrojtja e komuniteteve joshumicë, që ishte në thelb të të tri dokumenteve që i përmenda. I kemi disa… Do të donim të shihnim një zbatim më aktiv të atyre parimeve, të mbrojtjes së njëmendtë të të drejtave të komuniteteve joshumicë, një gjuhë dhe veprime vërtet aktive, që garanton se të gjitha komunitetet joshumicë që jetojnë në këtë vend ndihen vërtet të mbrojtura, ndihen se kanë të ardhme këtu, ndihen se janë pjesë e këtij vendi”, tha ai.
Ambasadori Hargreaves ndër tjerash foli edhe për raportet e Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar, duke theksuar se thellësia dhe ngrohtësia e marrëdhënieve daton që nga vitit 1999, dhe ka rrënjët shumë të forta.
“Unë ndodhem në këtë vend që 18 muaj. Jam tejet i privilegjuar që ndodhem këtu, në këtë rol, si ambasador britanik. Gjëja e parë që më ka lënë përshtypje, në pothuajse çdo takim që kam zhvilluar gjatë kohës time këtu, është thellësia dhe ngrohtësia e marrëdhënies ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, e cila, siç e dini, daton nga viti 1999, kur trupat britanike ishin ndër të parat që erdhën si pjesë e operacionit të NATO-s. Më 2008, Mbretëria e Bashkuar ishte vendi i parë që njohu pavarësinë e Kosovës. Kemi bashkëpunuar gjatë dhe thellësisht për sigurinë, dhe ne besojmë se Kosova duhet të jetë dhe është vend i pavarur dhe sovran. Prandaj, mendoj se marrëdhënia mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës i ka rrënjët shumë të forta, dhe ne jemi shumë krenarë për këtë e vazhdojmë të jemi, dhe do të vazhdojmë kësisoj”, përfundoi Hargreaves.