Tri herë në derë të GjK-së veç pse Kurti s’i ka numrat: Thirrje e porosi ndërkombëtare të respektohet vendimi që vjen

Gjykata Kushtetuese deri në fund të këtij muaji pritet të nxjerrë Aktgjykimin e tretë që nga nisja e seancës konstitutive – tash në kontestin për një Nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb. Se a ka apo nuk ka ekskluzivitet për një Nënkryetar grupi më i madh parlamentar i komunitetit serb, komunitet ky që ka të garantuar njërin post të Nënrkyetarit të Kuvendit. Këtë çështje e ka ngritur Lista Serbe ndërsa verdikti kushtetues do të godasë nga dita në ditë.
“Tradhti shtetërore”, e ka quajtur Glauk Konjufca, i dyti në Vetëvendosje pas Albin Kurtit, “po qe se…” Gjykata Kushtetuese i jep grupit më të madh parlamentar të komuniteti serb pakapërcyeshmërinë e propozimit për Nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb; pakapërcyeshmëri të cilën e ka grupi më i madh parlamentar shqiptar për propozimin e Kryetarit të Kuvendit.
Fjalët ndaj Gjykatës Kushtetuese janë karikuar rëndë nga partia Vetëvendosje; prej Albin Kurtit e deri më së poshti në hierarkinë e partisë.
Këto sulme ndaj Gjykatës Kushtetuese – e që u pasuan edhe nga vetë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, alarmuan QUINT-in, si hisedar edhe të sigurisë dhe mbikëqyrës të projektit kushtetues të Kosovës si shtet multietnik me kushtetutë konsociacionale: rend juridik ky një lloji specifik të sistemit demokratik të projektuar për të menaxhuar shoqëritë thellësisht të ndara, veçanërisht ato të ndara përgjatë vijave etnike, fetare, gjuhësore ose kulturore.
Nga Vetëvendosje megjithëse thonë se “do të respektojmë secilin vendim” të Gjykatës Kushtetuese: sulmet ndaj gardianit të rendit kushtetues kanë qenë prej më të rëndave.
“Po e presim me padurim vendimin”, tha hiç më larg se sot, ambasadori britanik në vend, Jonathan Hargreaves, në një intervistë me Radion Evropa e Lirë.
“Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, po, të gjithë po presim me padurim vendimin javën e ardhshme, dhe shpresoj që Gjykata të jetë në gjendje ta japë në kohë”.
“Jemi shqetësuar, sikurse të tjerët, për disa fjalë që janë thënë rreth Gjykatës Kushtetuese dhe për pasojat që mund t’i kishin, nëse Gjykata do të mund ta bënte punën e saj siç duhet dhe nëse vendimet e saj do të respektoheshin plotësisht. Ndaj, shpresoj shumë dhe pres që të gjitha partitë politike dhe gjithë shoqëria ta lejojnë Gjykatën të punojë dhe, më e rëndësishmja, t’i zbatojnë vendimet që ajo merr”, tha ai.
Jeffrey Hovenier, ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, deri kohëve të fundit, madje i pa sulmet ndaj Gjykatës Kushteutese si shkas primar dhe “mbushja e kupës” që çoi në suspendimin e Dialogut Strategjik me Kosovën.
“Mendoj se akti i fundit që çoi në këtë vendim – ai që bëri që njerëzit në Uashington të vendosnin se duhej të ndërmerrnin veprime – ishin deklaratat e kryeministrit dhe të tjerëve në Qeverinë e tij që kritikuan drejtpërdrejt Gjykatën Kushtetuese, një institucion i pavarur, i themelur me Kushtetutë, në hartimin e së cilës ka kontribuuar edhe SHBA-ja”, tha Hovenier për REL.
“Nga këndvështrimi i çdo vëzhguesi, kjo dukej e papajtueshme me parimet e një demokracie të mirë, me mbrojtjen e pavarësisë së gjykatave dhe me respektimin e aftësisë së gjykatës për të marrë vendime”, shtoi ai.
“Mendoj se kjo, ndoshta, ishte shkaku kryesor. Por, nuk ishte vetëm reagim ndaj kësaj. Ishte reagim pas një serie përpjekjesh nga zyrtarët amerikanë në këtë administratë, përfshirë një vizitë së fundmi të zyrtarit të lartë të Zyrës për Çështjet Evropiane, Brendan Hanrahan, në Prishtinë, ku ai u takua me presidenten [Vjosa] Osmani dhe kryeministrin [në detyrë] Kurti, për të diskutuar se si të përmirësohet marrëdhënia”, pati shtuar Hovenier.