Humbi në mal duke mbledhur gështenja, vazhdojnë kërkimet edhe në Kosovë për shtetasin e Shqipërisë

Një shtetas i Shqipërisë nga Tropoja të martën u raportua i zhdukur pasi humbi kontaktin me familjarët e tij derisa kishte shkuar për të mbledhë gështenja në një mal në brezin kufitar Kosovë-Shqipëri.
Për gjetjen e tij u angazhua edhe njësia për kërkim-shpëtim e Kosovës, ndërsa në anën tjetër të kufirit, ai po kërkohet nga njësia e Shqipërisë, siç kishte njoftuar Policia e Kosovës të martën.
Ndërkaq, sot me njoftim të ri doli Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, e cila tha se janë duke i vazhduar kërkimet pavarësisht terrenit të vështirë e kushteve atmosferike.
“Ekipet e Shoqatës së Kosovës për Kërkim-Shpëtim (SHKKSH) kanë filluar një operacion kërkim-shpëtimi në rajonin e Gjakovës, pas kërkesës nga Policia e Kosovës, për gjetjen e Florijan Tabaku nga Tropoja, person me nevoja të veçanta, i cili është raportuar i zhdukur që nga 20 tetori 2025 gjatë mbledhjes së gështenjave në territorin e Kosovës. Ekipet janë në terren dhe po zhvillojnë kërkime intensive për lokalizimin e tij, pavarësisht terrenit të vështirë dhe kushteve atmosferike”, u tha në njoftim.