Dogana zbulon 50 mijë euro të padeklaruara në Vërmicë

50 mijë euro të padeklaruara janë zbuluar në pikën kufitare në Vermicë. Kështau ka bërë të ditur sot, Dogana e Kosovës.
Sipas njoftimit, kjo shumë e parave është zbuluar gjatë procedurës doganore, kur udhëtari kishte deklaruar se nuk kishte asgjë për deklarim, por pas një kontrolli të hollësishëm në vijën e dytë.
Paratë në vlerë prej 50 mijë euro, ishin në monedha metalike dhe të fshehura në pjesën e bagazhit të automjetit.
“Në përputhje me legjislacionin në fuqi, Dogana e Kosovës ka ndërmarrë masat e parapara ligjore, ku është konfiskuar 25% e shumës së padeklaruar, ndërsa rasti është proceduar për hetime të mëtejshme pranë Sektorit të Hetuesisë. Dogana e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët dhe udhëtarët që kalojnë përmes pikave kufitare të respektojnë obligimet ligjore dhe të deklarojnë çdo shumë që tejkalon 10,000 euro, në hyrje apo dalje nga territori i Republikës së Kosovës. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe në parandalimin e veprimeve që cenojnë integritetin financiar dhe sigurinë ekonomike të vendit”, thuhet në njoftim.