Trupi i 77 vjeçarit që dyshohet se vdiq në hapësirën e lënë për ashensor dërgohet në IML

Dje në rrugën “Agon Rrahmani” në Fushë Kosovë një burrë 77 vjeçar ka vdekur pasi dyshohet se ka rënë në hapësirën që supozohet të jetë ashensori.
Lajmin dje e konfirmoi zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot në stacionin policor të Fushë Kosovës, është iniciuar një rast Hetim mbi vdekje. Rasti ka ndodhë në rrugën Agron Rrahmani në Fushë Kosovë, ku ka humbur jetën viktima mashkull, 77 vjeç. Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente në koordinim me prokurorinë”, tha ajo.
Ndërkaq sot, Prokuroria në Prishtinë tha se trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim.
“Ju njoftojmë se prokurori kujdestar ka iniciuar rastin “Hetim mbi vdekjen” dhe ka autorizuar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim të mëtejmë”, tha për Express zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala.
Zv.komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve, Abdusamed Shkodra, tha se sipas udhëheqësit të intervenimit objekti ka qenë në ndërtim e sipër.
“Sa i përket objektit, sipas udhëheqësit të intervenimit objekti ka qenë në ndërtim e sipër”, tha ai.
Shkodra shtoi se nuk ka informacione se pse ka shkuar viktima aty.