Kusari Lila e pranon se ende nuk kanë numra për të dielën

Mimoza Kusari Lila, shefe e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka deklaruar se ende u mungojnë edhe disa vota për shumicën e nevojshme parlamentare në krijimin e qeverisë së re.
“Pritjet janë që të kemi një qeveri nga mandatari e kryeministri aktual Kurti, e cila pritet t’i marrë të paktën 61 vota. Megjithatë në këtë moment edhe përderisa po flasim ende nuk kemi konfirmim zyrtar mbi koalicionet e mundshme duke marrë parasysh që numri i deputetëve në grupin tonë parlamentar është 48, 8 të tjerë janë nga komuniteti jo-shumicë dhe një është nga nënkryetari Rashiç, që prapë i bie që jemi afër 4-5 deputetë mangu për të pasur minimumin e shumicës që duhet pasur”, deklaroi deputetja.
Kusari Lila ka bërë me dije se blloku i tyre qeveritare nuk ka zhvilluar takime apo komunikime zyrtare me parti politike, por se ka zgjedhur të kryejë komunikime individuale me deputetë që ata konsiderojnë se mund të ndikojnë në formimin e qeverisë.
“Nuk ka pasur formacion zyrtar të takimeve mes partive politike, më shumë komunikime me deputetë, porse në cilindo format ose në cilindo rast e shohin si të domosdoshme një funksionalizim të plot të institucioneve të vendit”.



