Kurti i hakmerret Baljes, ia shkarkon zv/ministrin dhe këshilltarin

Mosvotimi i qeverisë së propozuar nga Albin Kurti të dielën, i ka kushtuar shtrenjtë Duda Baljes.
Deputetja e minoritetit boshnjak në Kuvendin e Kosovës, kryetare e Bashkimit Socialdemokrat (SDU), nga e marta e kësaj jave nuk e ka asnjë përfaqësues politik në qeverinë në detyrë të Albin Kurtit.
Dy të deleguarit e Baljes në qeveri, zëvendësministri Elldin Uglari dhe këshilltari politik, Enes Sulejmanoviqi, janë shkarkuar nga postet e tyre në dy ditët e fundit. Të dy janë shkarkuar me vendim të Kurtit.

Uglari, zëvendësministër për Zhvillim Rajonal që nga shkurti i vitit të kaluar, është shkarkuar të hënën, tregon një vendim i kryeministrit në detyrë Kurti, të cilin e ka siguruar Paparaci.

Ndërsa, Sulejmanoviq është shkarkuar një ditë më pas, të martën, raporton Paparaci.
Vendimi vjen si ”hakmarrje” ndaj deputetës Duda Balje, e cila nuk mori pjesë në votimin e përbërjes së kabinetit të ri qeveritar të propozuar nga Kurti të dielën në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për formimin e qeverisë së re.
Balje nuk shkoi fare në Kuvend të dielën, kur qeveria e re e propozuar nga Kurti dështoi të votohej.



