OVL e UÇK-së falënderon Supremen për shfuqizimin e Udhëzimit të Ministrisë së Financave

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, e cila ka shfuqizuar nenin diskriminues të Udhëzimit Administrativ Nr.01/2025, që kufizonte të drejtën e veteranëve për kompensim financiar.
Në reagimin e OVL UÇK-së, thuhet se ky vendim është një fitore e drejtësisë dhe e ligjit, sepse rikthen në vend një padrejtësi të bërë ndaj shumë veteranëve që, pavarësisht se janë të punësuar në sektorin privat, u ishin mohuar të drejtat ligjore të përfitimit nga skema e kompensimeve.
“Gjykata Supreme ka konstatuar saktë se e drejta e veteranëve nuk mund të varet nga fakti nëse janë apo jo në marrëdhënie pune, por nga natyra e punëdhënësit, duke përjashtuar vetëm ata që paguhen nga buxheti i shtetit, ndërsa duke garantuar të drejtën për të gjithë ata që punojnë në sektorin privat”, thuhet në reagim.
Tutje në reagim thuhet se ky vendim është një konfirmim i qartë se ligji që mbron dinjitetin e luftëtarëve të lirisë nuk mund të deformohet me akte nënligjore dhe se çdo përpjekje për kufizim të paarsyeshëm të të drejtave të veteranëve është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës dhe me vlerat e luftës sonë çlirimtare.
“OVL UÇK falënderon Gjykatën Supreme për vendimmarrjen e drejtë dhe të guximshme, e cila kontribuon në forcimin e shtetit ligjor dhe në mbrojtjen e të drejtave të atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës”, thuhet në fund të reagimin e OVL-së.


