OVL UÇK akuzon Kurtin për diskriminim, nuk u përfshinë në rritjen e pagës minimale dhe pensioneve bazike

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar pas mos-përfshirjes së veteranëve në rritjen e pensioneve dhe pagave nga Qeveria në detyrë.
Përmes një komunikate, OVL UÇK ka akuzuar për diskriminim Qeverinë në detyrë në krye me Albin Kurtin.
“Në një kohë kur vendi po shkon drejt zgjedhjeve, Qeveria në detyrë po mundohet të krijojë përshtypje mashtruese me premtime për rritje që nuk mund të realizohen pa buxhet të miratuar nga Kuvendi. Por edhe në këtë tentativë për mashtrim të qytetarëve, ku u përmendën të gjitha kategoritë shoqërore, veteranët e luftës së UÇK-së u anashkaluan sërish qëllimisht. Kjo është dëshmi e qartë se diskriminimi ndaj atyre që sakrifikuan më së shumti për lirinë e Kosovës po vazhdon. Në vend që të përmirësohet trajtimi i dinjitetshëm për veteranët, Qeveria në largim po tenton t’i harrojë ata plotësisht, madje edhe në momentet e fundit të mandatit”, thuhet në komunikatën e OVL-së.
OVL UÇK ka kërkuar nga qeveritë e ardhshme që veteranët e luftës të përfshihen në rritjen e pagës minimale.
“OVL UÇK kërkon që çdo qeveri e ardhshme të kthejë atë që na takon me ligj, përfshirjen e pensioneve të veteranëve në rritjen e pagës minimale, të drejtë që u mohua padrejtësisht nga qeveria Kurti me ndihmën e Listës Serbe”, thuhet në komunikatë.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë është votuar për Projektligjin e Buxhetit të vitit 2026 në vlerën e 4 miliardë eurove.
Sipas paraqitjes së projektligjit paga minimale do të rritet në 425 euro nga 1 janari i vitit të ardhshëm dhe parashihet që të arrijë deri në 500 euro në korrik të 2026.
Përpos rritjes së pagës minimale, Qeveria në detyrë ka rritur edhe pensionet bazike. Nga 120 euro, pensionet janë rritur në 150 euro. Pensionet do të ekzekutohen me rritje qysh nesër (1 nëntor).



