Cakolli: Votimi i buxhetit është anti-ligjor, është kundër qytetarëve

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës e ka vlerësuar si jo ligjor votimin e Projektligjit të Buxhetit për vitin 2026 nga Qeveria në detyrë.
Sipas Cakollit, në bazë të Ligjit për Qeverinë, Kurti si kryeministër në detyrë nuk ka legjitimitet për votimin e buxhetit dhe procedimin e tij në Kuvend.
“Me votimin e buxhetit nga Qeveria në detyrë dhe procedimin e tij në Kuvend, po merr formë një shkelje ligjore që duket si pjesë e një loje politike të menduar mirë. Një qeveri në detyrë nuk ka më mandat politik as kompetencë ligjore për të propozuar buxhetin e një legjislature të re. Ajo nuk ka lidhje institucionale me Kuvendin aktual dhe asnjë formë përgjegjësie ndaj tij. Ky është thelbi i problemit”, ka thënë Cakolli në reagimin e tij.
Sipas Cakollit, mbledhja e sotme e qeverisë ka shkaktuar një realitet absurd e paradoksal, duke marrë parasysh se vetëm para pak ditëve Kurti kishte dështuar të votohet për kryeminstër.
“Sot jemi përballë një realiteti aq absurd sa edhe paradoksal: – Buxheti i vitit të ardhshëm po i propozohet Kuvendit nga një deputet që vetëm pak ditë më parë u refuzua si kandidat për Kryeministër. I njëjti tash po vepron si Kryeministër në detyrë dhe po ia dërgon po atij Kuvendi projektbuxhetin për miratim. – Shumica e (ish-)ministrave që morën pjesë në miratimin e këtij buxheti në Qeveri do të votojnë për të përsëri në Kuvend, veçse tash nga funksioni i deputetit. Pra, dy vota “pro” për të njëjtin projektligj, nga dy pozita të ndryshme – konflikt ky i pastër interesi. – Projektbuxheti është përgatitur dhe propozuar nga (ish-)Ministri i Financave, të cilit Gjykata Supreme i kishte anuluar një udhëzim administrativ pikërisht për shkak të papajtueshmërisë së mandatit të tij. I njëjti tash vazhdon të njëjtën shkelje, por këtë herë për ligjin më të rëndësishëm të vitit – buxhetin e shtetit”, ka thënë Cakolli.
Ai ka thënë se votimi i sotshëm i buxhetit në Qeveri po bëhet me qëllim që të krijohet përshtypja se kush nuk e përkrah buxhetin.
“Çështja nuk është te buxheti, por tek mënyra si po shkelet ligji në emër të tij. Duke e shitur këtë si një lajm të mirë për qytetarët – përmes rritjes së pagave, pensioneve, ndihmave sociale e beneficioneve të tjera – po tentohet të krijohet përshtypja se kush nuk e përkrah buxhetin, është kundër qytetarëve. Pra, po krijohen kushtet e përzierjes së qëllimshme të ligjshmërisë me populizmin, për ta bërë të padukshme shkeljen. E nëse ligji shkelet sot në emër të pagave e pensioneve, nesër do të mund të shkelet në emër të çdo gjëje tjetër”, thuhet në reagimin e tij.


