“E bëri grupi i Radoiçiqit”, ish-zv. ministri Radomiroviq pretendon se ishte dëshmitar i rrëmbimit të serbit

Ish-zëvendës ministri për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviq thotë se ishte dëshmitar i rrëmbimit dhe plagosjes së Millan Vukashinoviq të shtunën nga xhandarmëria serbe.

Ish-zëvendësministri thotë se më 1 nëntor rreth orës 12:00, Vukashinoviq ndodhej me makinën e tij në fshatin Jelakce dhe në vendin e quajtur Lokvica, që ndodhet në Kosovë, por afër kufirit me Serbinë, ai kishte shkuar të blinte mjaltë nga një person me emrin Daki Antiq nga Kurshumlia, i cili është i punësuar në Ushtrinë e Serbisë.

Sipas Radomiroviqit, ky person është pjesë e institucioneve të Kosovës, ndërkaq sipas tij, vitin e kaluar Radoiçiq tentoi ta vriste Millanin duke i vendosur eksploziv nën makinë.

“Atë ditë duhej të merrte mjaltë, si zakonisht. Daki Antiq futej rreth 200 metra në territorin e Kosovës dhe pastaj kthehej në Serbi. Milan zakonisht blinte deri në 5 kg mjaltë. Gjatë mbërritjes në vendin e takimit, nga pylli dolën persona të armatosur, të veshur me uniforma të zeza dhe jeshile, me maska në fytyrë”, ka thënë ish-zëvendësministri për “Betimi për Drejtësi”.

Sipas tij, Millan Vukashinoviq nuk është ndalur por ka vazhduar të voziste.

“Milan Radoiçiq, i njohur si frikacak, gjithmonë qëllon nga pas dhe kështu bëri edhe këtë herë”, ka thënë ai.

Sipas Radomiroviq, pas ngjarjes tragjike grupi e transportoi Vukashinoviqin në Spitalin e Prokupljes. Tha se me duart e lidhura dhe nga ambulanca, ai ka arritur të telefononte nënën e tij dhe t’i thoshte se ishte sulmuar në Kosovë, se ishte plagosur dhe se po e çonin në Spitalin e Nishit.

“Më 02.11, përmes miqve nga Nishi, mësova se Millani ishte në gjendje të rëndë, se i ishte hequr një veshkë, mbështjellësi i zemrës (perikardi) dhe se kishte plumb në shtyllën kurrizore. Gjithashtu, nga miqtë kam mësuar se Radoiçiq ndodhej në Kosovë me pjesëtarë të Agjencisë së Sigurisë Ushtarake të Serbisë, përfshirë një oficer me emrin Sedlar”, ka shtuar ai.

Siç pretendon ai, ata kishin ardhur me tre xhipa pa targa dhe në Prokuplje askush nga policia nuk guxonte të pyeste çfarë po ndodhte.

“Milan Vukashinoviq u dërgua në Spitalin e Nishit, ku e priti drejtori i Qendrës Klinike të Nishit, Zoran Perishiq. Zoran Perishiq ndaloi personelin mjekësor të jepte çdo informacion për gjendjen shëndetësore të Milan Vukashinoviqit, të plagosur dhe të rrëmbyer”, u shpreh ai.

Ai shton se deklaron me përgjegjësi se ka qenë në atë vend- Jelakce, me personin që pretendohet se është rrëmbyer, por asnjëherë nuk kanë hyrë në Serbi. Dhe sipas tij, Milan Vukashinoviq është i punësuar në pikën kufitare Jarinjë, si punonjës i një shoqërie sigurimesh kosovare.

“Milan (Vukashinoviq) nuk i ka lënë institucionet e Kosovës që nga viti 2022 dhe që nga ajo kohë nuk shkon në Serbi. Në vitin 2024, Radoiçiq tentoi ta vriste Milanin duke i vendosur eksploziv nën makinë”, ka shtuar ai.

Vukashinoviq, ka dërguar edhe lokacionin ku pretendon se ndodhi ngjarja dhe thotë se për të gjitha këto ka dhënë deklaratë edhe Policinë e Republikës së Kosovës.

Policia e Kosovës ka njoftuar se të shtunën kanë marrë informacione se një qytetar serb dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer brenda territorit të Republikës së Kosovës nga xhandarmëria serbe.

Artikuj të tjerë

Back to top button