Gërvalla thotë se pranimi i Kosovës në Këshill të Evropës është çështje muajsh

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, në emisionin CONTEXT në ATV, ka lënë të kuptohet se pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës mund të jetë çështje muajsh.
Ajo thotë se, nëse kërkesa për anëtarësim kalon në muajin prill, ka mundësi që në maj me rastin e 75-vjetorit të formimit të Këshillit të Evropës, Kosova të jetë anëtarja më e re.
“Nëse në prill kalon kërkesa jonë, merr votën masive për të kaluar rekomandimin në Këshillin Ministror përsëri, atëherë shpresojmë që në takimin e majit kah mesi i majit do të jetë takimi i ministrave të Jashtëm, të cilët njëkohësisht do të festojnë 75-vjetorin e formimit të Këshillit të Evropës edhe aty shpresojmë që Kosova do të jetë anëtarja më e re”, tha Gërvalla.