
Prokurorja Laura Pula ka bërë të ditur se një person në Komunën e Fushë-Kosovës është ndaluar dhe intervistuar lidhur me fotografimin e votës, por më pas është liruar në procedurë të rregullt.
Pula tha se pas intervistimit është vërtetuar se i dyshuari nuk ka pasur ndonjë qëllim të caktuar apo kërcënim ndaj dikujt.
Sipas saj, procesi i votimit po shkon shumë mirë dhe nuk ka arsye për shqetësim. Sa i përket votimit në grup të qytetarëve serbë në veri të vendit, Pula njoftoi se rasti është duke u hetuar dhe gjatë ditës do të merret vendim mbi veprimet e nevojshme.
Ajo theksoi se autoritetet përkatëse, përfshirë KQZ-në dhe menaxherët e qendrave të votimit, janë të obliguar të raportojnë çdo parregullsi në Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit.
“Është raportuar një rast i fotografimit të votës në Komunën e Fushë-Kosovës. Personi që e ka bërë është ndaluar dhe intervistuar dhe, meqenëse nuk ka pasur ndonjë qëllim të caktuar dhe nuk ka qenë i kërcënuar nga askush, ai është liruar në procedurë të rregullt,” tha Pula.
Ajo shtoi se çdo incident që raportohet apo evidentohet do të trajtohet me prioritet dhe vëmendje të veçantë.



