KRU “Prishtina” thirrje konsumatorëve: Nënshkruani kontratat ose rrezikoni shkyçjen nga uji

Kompania Rajonale e Ujësjellësit KRU “Prishtina” u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që furnizohen nga sistemi publik i ujësjellësit të nënshkruajnë kontratat për shërbime me kompaninë, shkruan TandemPress.

Zëdhënësja e kompanisë, Arjeta Mjeku, tha se kontratat rregullojnë marrëdhëniet juridike mes kompanisë dhe konsumatorëve, duke përcaktuar të drejtat dhe obligimet e të dyja palëve.

Sipas saj, çdo konsumator i kyçur në sistemin publik është i obliguar ta nënshkruajë kontratën, ndërsa ata që nuk e bëjnë këtë do të kenë një afat ligjor rreth 10 ditë. Në të kundërtën, mund të përballen me shkyçje nga furnizimi me ujë të pijshëm, u shpreh Mjeku.

Ajo bëri të ditur se deri më tani janë nënshkruar mbi 70 mijë kontrata, ndërsa kompania furnizon më shumë se 180 mijë konsumatorë. Ajo shtoi se për konsumatorët me borxhe, kompania dërgon disa vërejtje para shkyçjes dhe ofron mundësi ri-programimi të borxhit deri në 36 muaj.

Artikuj të tjerë

Back to top button