
Policia e Kosovës ka arrestuar një person të kërkuar për disa vepra të rënda penale, përfshirë një rast vrasjeje të ndodhur para 11 vitesh.
Sipas njoftimit të Policisë në Prizren, më 9 mars 2026 rreth orës 22:30, patrulla policore e Stacionit Policor në Prizren, pas një pune të vazhdueshme hetimore, ka arritur të lokalizojë dhe arrestojë të dyshuarin A.P 37 vjeç, nga fshati Velezhë i Prizrenit.
I njëjti ishte në kërkim sipas urdhërarresteve të gjykatës për disa vepra penale, konkretisht:
“Vrasje” sipas nenit 178 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës,
“Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” sipas nenit 365,
“Mbajtje, posedim dhe kontroll i paautorizuar i armës” sipas nenit 366.
Pas arrestimit, më 10 mars 2026, i dyshuari është dërguar në Prokurorinë Speciale për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.
Sipas policisë, rasti i vrasjes ka ndodhur në vitin 2015, ku i dyshuari kryesor i rastit ishte arrestuar dhe dënuar nga gjykata, ndërsa A.P. ishte njëri nga të dyshuarit dhe kishte qenë në arrati për disa vite.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e personave të kërkuar, veçanërisht atyre të dyshuar për vepra penale të rënda, me qëllim garantimin e sigurisë dhe rendit publik.



