
Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se qeveria nuk planifikon të rikthejë bordet e transparencës për çmimet e karburanteve, por do të vazhdojë vetëm me monitorimin ditor të tregut.
Pas mbledhjes së qeverisë, Ibrahimaj tha se institucionet po ndjekin nga afër lëvizjet e çmimeve të naftës, benzinës dhe gazit, të cilat janë ndikuar nga zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme.
Ajo bëri të ditur se është zhvilluar një takim me kompanitë e sektorit dhe me Shoqatën e Hidrokarbureve për të diskutuar rritjen e çmimeve gjatë javëve të fundit dhe për detyrimet që kompanitë kanë për rezervat e karburanteve.
Ministrja theksoi se aktualisht situata nuk është në nivelin që të kërkojë rikthimin e bordit të transparencës, i cili ishte vendosur gjatë krizës së viteve 2022–2023 për të monitoruar dhe përcaktuar çmimet e shitjes. Sipas saj, nëse do të ketë rritje të mëtejshme ose abuzime në treg, qeveria mund të marrë masa më të forta.
“Po monitorojmë çmimet në bursë për naftën, benzinën dhe gazin, si dhe çmimin me të cilin karburanti del nga dogana dhe çmimin me të cilin shitet në treg. Nëse vërejmë spekulime apo abuzime nga pikat e shitjes me pakicë, do të ndërhyjmë”, u shpreh Ibrahimaj.
Sipas saj, një faktor që ndikon në çmimin final është edhe struktura e taksave në Shqipëri. Ajo sqaroi se taksat që mbart një litër karburant – përfshirë taksën e qarkullimit – në shumë vende të tjera paguhen për automjetin, ndërsa në Shqipëri janë të përfshira drejtpërdrejt në çmimin e naftës.
Më 10 mars u shënua një nga çmimet më të larta të karburanteve në vend, ku një litër naftë arriti deri në 198 lekë (rreth 2.07).
Gjatë ditës së sotme çmimi ka shënuar një rënie të lehtë, duke zbritur në rreth 193 lekë për litër apo 2.01 euro.
Ndërkohë, edhe në bursat ndërkombëtare çmimi i naftës ka pësuar rënie.
Të dhënat e doganave për importet sipas bursës Platts për datën 10 mars tregojnë se nafta është importuar në Shqipëri me 1057 dollarë për ton, nga 1172 dollarë për ton sa ishte një ditë më parë, duke reflektuar një ulje të çmimit në tregjet ndërkombëtare./TCH.



