
Tre të vrarë është bilanci i një tragjedie që ka ndodhur në fshatin Majac të Podujevës.
Shumë pyetje ende nuk kanë marrë përgjigje, shumë detaje ende nuk dihen, megjithatë gjithçka përfundoi me fatalitet.
E dyshuara kryesore në këtë rast, një vajzë rreth 30-vjeare, dyshohet se kishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të një burri rreth 40-vjeçar. I njëjti, për disa minuta kishte qëndruar pa shenja jete në veturë.
Sipas dyshimeve, ajo që shtiu më pas kishte marrë gruan e axhës peng, dhe të njëjtën gjithashtu e kishte qëlluar me armë zjarri, dhe më pas qëlloi dyshohet se qëlloi veten.
Përderisa burri mbeti i vrarë në vend, e moshuara rreth 70-vjeçare humbi jetën në QKUK, njëtjë si edhe e dyshuara.
Zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala, ka thënë se rasti ndodhi pas një mosmarrëveshje.
“Lidhur me këtë ngjarje tragjike, dyshohet se për shkak të një mosmarrëveshje ndërmjet tyre, situata ka eskaluar dhe më pas është përdor një armë zjarri, ku ka shtënë në drejtim të dy personave dhe për fat të keq për shkak të plagëve të marra, kanë ndërruar jetë, dhe po ashtu e dyshuara kryesore e këtij akti ka ndërruar jetë”, tha Shala.
Ajo nuk dha detaje shtesë, pasi shtoi se hetimet janë ende në fazë preliminare.
Prokuroria Themelore ka bërë të ditur se motivi për këtë ngjarje ende nuk dihet.
“Menjëherë pas pranimit të informatave, Policia e Kosovës dhe ekipet e tjera hetimore, së bashku me Prokurorin e shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda, kanë dalë në vendin e ngjarjes për ndërmarrjen e veprimeve të para hetimore. Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, është sekuestruar një armë zjarri, dhe disa gëzhoja, si dhe disa prova të tjera matriale relevante për rastin. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Insititutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë. Aktualisht, sipas hetimeve preliminare, motivi i këtij rasti ende nuk është i njohur. Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, është duke zhvilluar hetimet intensive për ndriçimin e plotë të këtij rasti tragjik”, thuhet në njoftim.
Në kushte anonimiteti, për mediat, ka folur një familjar.
Siç raporton gazetarja e Nacionales, Besarta Hoti, nga vendi i ngjarjes, familjari se pas vrasjes së 45-vjeçarit, e dyshuara ka hyrë në shtëpinë e viktimës 73-vjeçare, ku dyshohet se e ka marrë atë peng.
Sipas tyre, në momentin kur 73-vjeçarja është mbajtur brenda në shtëpi, aty ka qenë edhe reja e saj bashkë me fëmijët, ndërsa, sipas familjarit, reja aktualisht ndodhet në gjendje shoku.
73-vjeçarja është gruaja e axhës së të dyshuarës 31-vjeçare, por familjarët kanë thënë se dy familjet kishin raporte shumë të mira.
Njësitet e Policisë edhe sot janë parë në vendin e ngjarjes, edhe tek shtëpia e burrit që u vra.



