Thaçi nga Haga: Përulem para popullit të Kosovës, ndihem i përmbushur në karrierën politike

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi së fundi ka dhënë një intervistë për gazetën e njohur gjermane, FAZ. Ai aty flet për vdekjen e babait të tij, politikën në Kosovë, procesin gjyqësor e shumë të tjera.
Një prej pyetjeve të para që iu bë Thaçit në këtë intervistë, ka të bëjë me rikthimin e tij të mundshëm në politikë, nëse shpallet i pafajshëm.
Ish-presidenti u shpreh se garën politike e sheh pas vetës, por jo edhe jetën politike. Ai ka shtuar se do të vazhdojë t’i shërbejë publikut, por se ndihet i përmbushur në karrierën politike.
“Ju pyesni nëse jeta ime politike ka përfunduar. E shoh garën politike pas vetes, por jo jetën time politike. Si qytetar i lirë i Kosovës do të vazhdoj t’i shërbej publikut dhe shtetit edhe në të ardhmen. Përulem para popullit të Kosovës që më ka dhënë besim, respekt dhe mbështetje për dy dekada. Shpreh mirënjohje të thellë edhe për partnerët tanë ndërkombëtarë që bashkëpunuan me mua për të realizuar vullnetin e qytetarëve për liri dhe pavarësi. Ndihem i përmbushur në karrierën time politike”, tha ai.
Ish-kreu i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës foli edhe për vdekjen e babait të tij, duke thënë se fakti që nuk mori pjesë në varrim, e ka lënduar thellë.
“I vlerësoj shumë fjalët tuaja të mira për vdekjen e babait tim. Ishte një humbje e madhe për familjen time dhe për mua personalisht. Tani ndodhem në vitin e gjashtë të paraburgimit dhe ende pres një vendim gjykate. Fakti që nuk munda të marr pjesë në varrimin e babait tim dhe t’i jap lamtumirën e fundit më ka lënduar thellë, një dhimbje që do ta mbaj gjithë jetën”.
Thaçi foli edhe për dëshminë e gjeneralit Wesley Clark:
“Unë mbështes plotësisht argumentet e ekipit tim mbrojtës. Dhomat e Specializuara të Kosovës janë mekanizmi i katërt ndërkombëtar pas ICTY, UNMIK dhe EULEX. Secili prej këtyre mekanizmave ka hetuar ngjarjet e viteve 1998–1999 dhe ka nxjerrë përfundime për përgjegjësitë. Qëllimi i krijimit të kësaj gjykate ishte hetimi i pretendimeve të raportit të Dick Marty-t, veçanërisht për trafikim organesh – pretendime të ngritura nga përfaqësues rusë në Këshillin e Evropës. Por në aktakuzën tonë nuk ka asnjë referencë për këto akuza. Ato rezultuan të pavërteta. Edhe gjeneral Clark i cilësoi si dezinformim rus. Shpresojmë që ky proces të sjellë të vërtetën, drejtësinë dhe dinjitetin”.



