Këta janë dy zyrtarët komunalë ku dyshohet se i mundësuan investitorit përfitim prej 716 mijë eurosh

Dy zyrtarë të Komunës së Suharekës, Hafir Maliqaj dhe Agim Demiri, janë përfshirë në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prizren për një rast të dyshuar të keqpërdorimit të pozitës zyrtare gjatë mbikëqyrjes së punimeve ndërtimore në një objekt në Suharekë.//raporton TandemPress

Maliqaj, i cili në dokumentet zyrtare të deklarimit të pasurisë figuron si Inspektor i Ndërtimit në Drejtorinë e Inspekcionit të Komunës së Suharekës, dhe Demiri, i cili është identifikuar si Drejtor i Inspekcioneve, akuzohen se nuk ndërmorën veprimet e nevojshme pasi kishin konstatuar parregullsi në objekt.

Sipas aktakuzës, investitori ishte urdhëruar t’i ndërpriste punimet dhe të pajisej me leje ndërtimore, por kontrolli i mëtejshëm nuk ishte kryer brenda afatit të përcaktuar.

Prokuroria pretendon se gjatë një inspektimi të mëvonshëm, gjendja reale e objektit nuk ishte pasqyruar dhe nuk ishin evidentuar të gjitha tejkalimet nga leja ndërtimore.

Në rastin konkret, për objektin ishte lejuar etazhiteti B+P+2, ndërsa ai, sipas aktakuzës, ishte realizuar me B+P+3. Po ashtu, pretendohet se ishin bërë tejkalime të vijave ndërtimore për rreth 730 metra katrorë.//shkruan TandemPress.

Sipas Prokurorisë, këto tejkalime i kanë mundësuar investitorit përfitim prej rreth 716 mijë eurosh, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm financiar në vlerën e taksave të papaguara.

“Edhe pse investitori ishte urdhëruar që t’i ndërpriste punimet dhe të pajisej me leje ndërtimore, kontrolli i mëtejshëm nuk është kryer brenda afatit të përcaktuar. Ndërsa, gjatë inspektimit të mëvonshëm, gjendja e objektit nuk është pasqyruar në mënyrë reale, duke mos u evidentuar të gjitha tejkalimet nga leja ndërtimore”, thuhet në aktakuzë.

Prokuroria i akuzon Maliqajn dhe Demirin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në bashkëkryerje.

Në të njëjtin rast janë të akuzuar edhe investitori për ndërtim pa leje, si dhe A.H., pronar i kompanisë ndërtimore “Bashkimi Projekt”, për punime ndërtimore të kundërligjshme.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata

LEXO EDHE:

Artikuj të tjerë

Back to top button