Elektrofiltrat ndalen së operuari në “Kosova A”, KEK-u del me njoftim

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se në Termocentralin “Kosova A” është evidentuar një ndërprerje e përkohshme në funksionimin e elektrofiltrave.
Përmes një postimi në Facebook, KEK thotë se janë duke u zhvilluar ndërhyrjet për sanimin e defektit dhe rikthimin e funksionalitetit të plotë të sistemit, raporton KlanKosova.tv.
“Menjëherë pas evidentimit të situatës, ekipet teknike kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për identifikimin e plotë të shkakut, ndërsa aktualisht janë duke u zhvilluar ndërhyrjet për sanimin e defektit dhe rikthimin e funksionalitetit të plotë të sistemit”, shkruhet në postimin e KEK.
Postimi i plotë:
Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se në Termocentralin “Kosova A” është evidentuar një ndërprerje e përkohshme në funksionimin e elektrofiltrave, si pasojë e një ndërprerjeje në qarkun elektrik të ndërprerësve të kompresorëve të ajrit me automatizëm, e cila ka shkaktuar ndaljen automatike të operimit të elektrofiltrave.
Menjëherë pas evidentimit të situatës, ekipet teknike kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për identifikimin e plotë të shkakut, ndërsa aktualisht janë duke u zhvilluar ndërhyrjet për sanimin e defektit dhe rikthimin e funksionalitetit të plotë të sistemit.
Paralelisht, janë duke u zbatuar masa intensive parandaluese me qëllim mbrojtjen e aseteve të tjera teknike dhe minimizimin e çdo rreziku potencial për sistemin.
Korporata Energjetike e Kosovës mbetet e përkushtuar për menaxhim profesional të situatës, transparencë ndaj opinionit publik dhe rikthim sa më të shpejtë në operim normal, në përputhje me standardet teknike dhe mjedisore në fuqi.



