Ekstradohen dy persona, njëri nga Gjermania tjetri nga Franca – kërkoheshin për tentim vrasje

Policia e Kosovës ka njoftuar se dy persona janë ekstraduar nga Gjermania dhe Franca, pasi ishin në kërkim me letër-rreshtim ndërkombëtar për dy raste të ndara “Vrasje në tentativë”.
Sipas njoftimit zyrtar, të arrestuarit kanë qenë në kërkim ndërkombëtar përmes INTERPOL dhe janë ekstraduar në Kosovë pas procedurave përkatëse ligjore dhe bashkëpunimit ndërkombëtar të autoriteteve të Kosovës dhe shteteve përkatëse,.
“Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, me datat 23 dhe 24 prill 2026, kanë realizuar me sukses ekstradimin e dy personave të kërkuar nga drejtësia, të cilët ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes INTERPOL-it. Të dyshuarit kërkoheshin për dy raste të ndara ‘Vrasje në tentativë’”, u tha në njoftimin e Policisë.
Paraprakisht, Policia tha se të dyshuarit ishin arrestuar nga autoritete e shteteve përkatëse në Gjermani dhe Francë dhe ekstradimet u realizuan bazuar në ligjet në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe shteteve prej nga u ekstraduan të kërkuarit.



