Një muaj paraburgim të dyshuarit për vrasjen e Rexhë Brahimajt

Gjykata Themelore në Gjakovë ia ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarit për vrasjen e Rexhë Brahimajt.
Q.S. dyshohet se e kishte therur Brahimajn me thikë pas një fjalosjeje, e që kishte rezultuar fatale për këtë të fundit.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se ‘me datën 5 maj 2026 rreth orës 02:30, në rrugën ‘Mbretëresha Teuta’ në Gjakovë, me dashje dhe me mjet të mprehtë – brisk ka privuar nga jeta tani të ndjerin R.B. nga Gjakova, në atë mënyrë që si shkak i një mosmarrëveshje të çastit përderisa ndodheshin në automjetin Skoda, të cilën po e drejtonte dëshmitari Sh.Rr., e në të njëjtin automjet ndodheshin edhe dëshmitari R.Rr. dhe i pandehuri G.I., papritmas fillojnë fjalosjen në mes të pandehurve Q.S. dhe G.I. përderisa ndodheshin brenda në automjet, dalin nga automjeti dhe ashtu duke u fjalosur, fillon konflikti fizik mes tyre dhe papritmas i pandehuri Q.S., nxjerrë një brisk nga trupi i tij dhe e godet të ndjerin në pjesën e majtë të gjoksit në drejtim të zemrës, dëshmitarët Rr. e marrin viktimën dhe me të shpejtë e dërgojnë në ambulanten e qytetit, e më pas gjatë dërgimit për në Spitalin Rajonal-Reparti emergjencës ndërron jetë në ora 03:10 minuta, ku edhe është bërë konstatimi i vdekjes së tij nga mjeku kujdestar”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
“Gjyqtari i procedurës paraprake nga Departamenti i Krimeve të Rënda, Driton Sadiku, pas mbajtjes së seancës dëgjimore ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit”.
Me këtë vendim, ai do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, periudhë e cila do t’i llogaritet nga data e arrestimit.


