Selman Kolgeci shpall kandidaturën për deputet nga LDK: Bashkë për një Kosovë më të drejtë

Selman Kolgeci ka bërë të ditur kandidaturën e tij për deputet nga radhët e Lidhja Demokratike e Kosovës, duke thënë se synon të përfaqësojë me krenari Suharekën dhe qytetarët që besojnë në punë, ndershmëri dhe zhvillim.
Përmes një njoftimi publik, Kolgeci theksoi se kandidatura e tij vjen me mbështetjen unanime të strukturave të degës dhe nëndegëve të LDK-së në Suharekë.
“Me përgjegjësi, përkushtim dhe besim të plotë në vlerat që përfaqëson Lidhja Demokratike e Kosovës, j’u njoftoj se me mbështetjen unanime të të gjithë strukturave të degës dhe nëndegëve tona, kam vendosur të kandidoj për deputet nga radhët tona të LDK-së”, ka deklaruar Kolgeci.
Ish-asamblisti i Suharekës ka thënë se këtë kandidim e sheh si përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe të ardhmes së vendit.
“Ky rrugëtim për mua është më shumë se një kandidim, është përgjegjësi ndaj vendit tonë, ndaj familjeve tona dhe ndaj së ardhmes që duam ta ndërtojmë bashkë”, u shpreh ai.
Kolgeci ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve, duke premtuar se do të vazhdojë të jetë pranë tyre dhe të dëgjojë kërkesat e shqetësimet e tyre.
“Bashkë për një Kosovë më të drejtë, më të zhvilluar dhe me më shumë mundësi për secilin”, ka përfunduar ai.



