“Retorikë përçarëse”, reagon LDK: Gjuha e urrejtjes prodhon tension dhe cenon sigurinë publike

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dënuar dhunën politike të ndodhur sot dhe ka shprehur shqetësim për klimën e rrezikshme të gjuhës së urrejtjes dhe kërcënimeve.
Përmes një postimi në Facebook, kjo parti ka vlerësuar se retorika përçarëse, nxitëse dhe denigruese, e cila sipas saj është normalizuar në hapësirën publike dhe digjitale, nuk mund të trajtohet si një fenomen i zakonshëm politik.
“Retorika përçarëse, nxitëse dhe denigruese që është normalizuar në hapësirën publike e digjitale nuk mund të trajtohet si fenomen i zakonshëm politik. Gjuha e urrejtjes prodhon tension, cenon sigurinë publike dhe krijon ambient ku dhuna rrezikon të shihet si mjet i pranueshëm i përballjes politike. Kjo është e papranueshme për një republikë demokratike”, thuhet në reagimin e këtij subjekti politik pas incidentit mes Samit Lushtakut dhe Hysni Mehanit në Skenderaj.
Ndër të tjera, LDK-ja konsideron se mospajtimet politike duhet të mbeten gjithmonë brenda normave demokratike, institucionale dhe qytetare.
“Ftojmë të gjithë akterët politikë, institucionet përgjegjëse dhe shoqërinë në tërësi që të kontribuojnë në ruajtjen e një klime të qetë demokratike, në respektimin e kulturës së komunikimit publik dhe në mbrojtjen e rendit demokratik. Kosova ka nevojë për maturi politike, përgjegjësi shtetërore dhe sundim të ligjit. Çdo akt dhune, çdo gjuhë urrejtjeje dhe çdo përpjekje për intimidim politik duhet të refuzohet qartë dhe pa ekuivok nga të gjithë”, përfundon reagimi.

