Kurti: Shtesat për fëmijë në mandatin tjetër do të rriten deri në 90 euro, për lehona deri në 500 euro

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka premtuar rritje të shtesave për fëmijë nga 60 deri në 90 euro dhe rritje të mbështetjes për lehonat deri në 500 euro në muaj gjatë mandatit të ardhshëm.

Në tryezën e organizuar nga Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare në  shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes, Kurti tha se mbi 400 mijë fëmijë kanë përfituar nga shtesat për fëmijë, ndërsa mbi 80 mijë nëna nga shtesat për lehona.

“Politika për familjen dhe mirëqenien e saj. Kështu mbase do të ishte përshkrimi më i saktë dhe më i shkurtër i qeverisjes sonë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes, sepse ajo, pra familja, është trajtuar jo si diçka e ndarë dhe jashtë kontekstit zhvillimor, por në tërësinë e politikave sektoriale dhe në kuadër të gjerë të vendimmarrjes. Për të zbërthyer këtë, më lejoni të përmend disa prej punëve, shumë prej të cilave në sektorë të ndryshëm, por që të gjitha në qendër e kanë familjen”.

“Për herë të parë në Kosovës kemi nisur me aplikimin e shtesave nga të cilat kanë përfituar mbi 400.000 fëmijë. Kur nisem me 10 dhe 20 euro – pati tallje e përqeshje për një politikë të këtillë. E sot çdo familje që plotëson kushtet merr shtesa prej 30 deri 45 euro, varësisht nga numri i fëmijëve. Ndërkaq zotimi ynë është që në mandatin tjetër, të cilin e synojmë edhe një herë, shtesat për fëmijë t’i dyfishojmë 60 deri në 90 euro”, tha ai.

“Paralelisht me këtë kemi filluar me shtesat për lehonat, nga të cilat kanë përfituar më shumë se 80 mijë nëna. Njësoj sikurse për fëmijët, edhe këtu i patëm gjetur zero. Nisi me 170 euro muaj, aktualisht janë 325.9 euro, por me synimin që ato të ngritën në 500 euro në muaj”, tha ai.

Ministri në detyrë i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, tha se familja ka qenë gjithmonë shtylla kryesore e qëndrueshmërisë shoqërore dhe kombëtare në Kosovë.

Ai deklaroi se ruajtja dhe fuqizimi i familjes mbetet prioritet kombëtar përballë sfidave ekonomike, sociale dhe demografike.

“Familja në Kosovë ka qenë gjithmonë shtylla kryesore e qëndrueshmërisë sonë shoqërore dhe kombëtare. Në periudha sfiduese, familjet tona kanë ruajtur humanitetin, kujdesin ndaj njëri-tjetrit dhe vlerat e solidaritetit. Sot, përballë sfidave ekonomike, sociale dhe demografike, ruajtja dhe fuqizimi i familjes mbetet prioritet kombëtar. Prandaj, institucionet tona janë të përkushtuara të mbrojnë dinjitetin e çdo familjeje, të fuqizojnë mirëqenien sociale, të krijojnë mundësi të barabarta për të gjithë dhe të sigurojnë mbështetje për familjet në nevojë, fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe të rinjtë. Andaj dhe si qeverisje, edhe në këtë mandat, për herë të parë familja është vendosur në qendër të politikave shtetërore përmes masave konkrete dhe të matshme që i kemi zbatuar”, tha ai.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se familja është hapësira ku ndërtohen siguria, solidariteti dhe dinjiteti njerëzor, prandaj meriton mbështetje të vazhdueshme institucionale.

“Familja si hapësira e parë ku ndërtohet siguria, solidariteti, edukimi dhe dinjiteti njerëzor, meriton vëmendje dhe mbështetje të vazhdueshme institucionale. Mënyra se si një shoqëri kujdeset për familjen reflekton drejtpërdrejt mënyrën se si ajo e koncepton drejtësinë sociale, barazinë dhe të ardhmen e saj. Kur familja është e mbrojtur, edhe shoqëria është më e fortë. Prandaj slogani ‘Shteti fillon me familjen’. Por kur brenda familjes ekziston dhunë, frikë, mungesë e mirëqenies ekonomike apo mungesë e mbështetjes institucionale, pasojat reflektohen në të gjithë shoqërinë në mirëqenien e fëmijëve, në pozitën e grave dhe në stabilitetin e vetë shtetit. Për këtë arsye, fuqizimi i familjes është prioritet shtetëror. Institucionet kanë obligim të ndërtojnë mekanizma që mbrojnë dinjitetin njerëzor, fuqizojnë familjen dhe garantojnë që çdo grua, çdo fëmijë dhe çdo qytetar të jetojë i lirë nga dhuna, diskriminimi dhe pasiguria”, tha ajo.

Artikuj të tjerë

Back to top button