Përkujthet heroi i Kosovës, Mentor Humolli, vëllai i heroinës Elfete Humolli

Sot kujtohet Heroi i Kosovës, Mentor Humolli, i cili ra më 21 maj 1999 në Betejën e lavdishme të Koshares, duke luftuar për lirinë e Kosovës.
Por historia e Mentor Humollit nuk është vetëm historia e një luftëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo është historia e një familjeje që ia dha zemrën dhe jetën kombit shqiptar.
Mentori ishte vëllai i Heroinës së Kosovës, Elfete Humolli — vajzës shqiptare, rënia tragjike e së cilës tronditi opinionin botëror dhe u bë simbol i krimeve dhe barbarisë së regjimit jugosllav ndaj shqiptarëve.
Sipas rrëfimeve dhe kujtimeve të bashkëluftëtarëve e veprimtarëve, me rënien e Elfete Humollit nisi edhe shembja morale e Jugosllavisë fashiste, pasi bota pa fytyrën e vërtetë të një regjimi që mbahej në këmbë mbi dhunë, terror dhe gjakun e njerëzve të pafajshëm.
Nëntë vite më vonë, në pranverën e luftës çlirimtare, vëllai i saj Mentor Humolli mori armën për ta vazhduar amanetin e motrës për liri. Pikërisht në Koshare — aty ku u thye kufiri i padrejtësisë dhe u hap rruga e lirisë — ai ra heroikisht për Kosovën.
Historia deshi që një motër dhe një vëlla të bëhen dy kapituj të së njëjtës sakrificë kombëtare: njëra simbol i dhimbjes së popullit shqiptar, tjetri simbol i qëndresës dhe i fitores së tij.
Kontributi i familjes Humolli për kombin nuk përfundon vetëm me sakrificën e Elfetes dhe Mentorit. Të dy ishin bijtë e Isa Humollit — veprimtar i kahmotshëm kombëtar dhe aktivist i palodhur në lëvizjen e pajtimit të gjaqeve, krah për krah me Anton Çettën, në kohët më të vështira për shqiptarët.
Kjo familje dha jo vetëm dëshmorë për lirinë, por edhe kontribuues të mëdhenj për bashkimin, pajtimin dhe vetëdijen kombëtare shqiptare.
Sot, emrat e Elfete dhe Mentor Humollit nuk i përkasin vetëm familjes së tyre, por gjithë kombit shqiptar. Ata mbeten përjetësisht simbol i sakrificës, guximit dhe dashurisë së pafund për atdheun.
Lavdi e përjetshme Heroinës së Kosovës, Elfete Humolli, dhe Heroit të Kosovës, Mentor Humolli!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!



