Fotografuan dhe incizuan votën disa persona nga diaspora, nis hetimi i rasteve

Prokuroi i Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar se kanë pranuar informacione se disa qytetarë, kryesisht nga diaspora, gjatë procesit të votimit me postë kanë fotografuar dhe incizuar votën e tyre dhe të njëjtën e kanë postuar nëpër rrjete sociale.
Kjo u bë e ditur në një njoftim të Prokurorit të Shtetit pas një takimi që u zhvillua për masat rreth procesit zgjedhor të së dielës ku u tha se pas pranimit të këtyre informatave së bashku me policinë kanë identifikuar disa persona, të cilët kanë kryer veprime të tilla dhe janë në proces të verifikimit dhe trajtimit të të gjitha postimeve eventuale.
“Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës njofton të gjithë qytetarët se këto veprime do të trajtohen dhe secili prej tyre do të mbahet përgjegjës për veprimet e tyre.
Poashtu, Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës fton qytetarët, të cilët e shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit, të jenë të kujdesshëm që vota e tyre në asnjë formë të mos bëhet publike”, u tha mes tjerash në njoftim



