Gjykata dënon ish-minstrin Endrit Shala me dy vjet burg për “Konflikt Interesi”

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, duke e dënuar me dy vjet burgim për veprën penale “Konflikt interesi”.
Aktgjykimi u shpall të hënën nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Violeta Namani-Hajra. Sipas gjykatës, nuk janë përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, për të cilën ishte akuzuar fillimisht Shala.
“Shala u shpall fajtor dhe u dënua për ‘Konflikt interesi’”, tha gjykata, duke sqaruar se dënimi do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.
Përveç dënimit me burgim, Shala është obliguar të paguajë 100 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Palët kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor prej 30 ditësh. Shala nuk ishte i pranishëm gjatë shpalljes së aktgjykimit.



