Nis dita e 16-të e protestës në Tiranë, qytetarët grumbullohen në sheshin “Skënderbej”

Protestuesit që prej më shumë se dy javësh po kundërshtojnë projektin e investimit në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë kanë paralajmëruar një marshim të ri në Tiranë, në kuadër të protestave kundër punimeve në Zvërnec.

Sipas organizatorëve, qytetarët do të mblidhen fillimisht në shesh, për të vijuar më pas marshimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe për t’u ndalur para ndërtesës së Kryeministrisë, ku do të mbahen fjalime nga aktivistë dhe pjesëmarrës të protestës. Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit pritet të marshojnë edhe në rrugët e kryeqytetit.Aktivisti Kola bëri të ditur se organizimi i marshimit po udhëhiqet nga të rinjtë, ndërsa paralajmëroi masa shtesë për të shmangur incidentet e mundshme.

Marshimi është organizuar nga vetë të rinjtë, por nga sot do të kujdesemi edhe për të shmangur incidentet e mbrëmshme. Nuk do të ketë më marshim jashtë ‘Unazës’”, deklaroi ai.

Prej 16 ditësh, në Tiranë, Vlorë dhe qytete të tjera të Shqipërisë po zhvillohen protesta kundër projektit për ndërtimin e një resorti turistik në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë, mes shqetësimeve për ndikimin mjedisor dhe çështjet e pronësisë së tokës.
Protestuesit kërkojnë anulimin e projektit në Zvërnec dhe dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Projekti është lidhur publikisht me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.

Sipas të dhënave zyrtare, zona në Zvërnec figuron në pronësi të kompanisë Albania Land Development, e regjistruar më 27 maj 2025 në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.
Ndërkohë, të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se pronarë të kompanisë janë vëllezërit Mohamadmoataz Mhd Ruslan Alkhayat dhe Ramez Mhd Ruslan Alkhayyat.Më 29 prill, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen për punime rrethimi dhe aktivitete përgatitore për ndërtimin e rrugëve të aksesit në zonën e Zvërnecit, një vendim që ka nxitur reagime dhe kundërshtime nga aktivistët dhe organizatat mjedisore.

Artikuj të tjerë

Back to top button