Konjufca: Afrim Bunjaku dha shembullin se si jepet jeta kur rrezikohet atdheu
Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka nderuar veprën e Afrim Bunjakut, duke thënë se ai është shembull se si jepet jeta e si vetëmohohet individi për të mirën e përgjithshme.
Këto komente Konjufa i bëri pas homazheve që bënë bashkë me kryeministrin Albin Kurti te varri i heroit Afrim Bunjaku.
“Ai e dha shembullin më të vyer se kur atdheu rrezikohet dhe kërcënohet se si duhet të jepet jeta dhe si të duhet vetëmohohet individi për të mirën e përgjithshme, për lirinë tonë, e cila duhet të kultivohet pandërprerë për të gjithë ne. Prandaj, ai e dha shembullin më të vyer edhe për vëllezërit dhe motrat e tij që vazhdojnë detyrën në Policinë e Republikës së Kosovës sesi duhet të veprojë njeriu në momentet vendimtare kur e kërkon shteti dhe Republika”, tha Konjufca.
Ai shtoi se kujtimi për të dhe për Enver Zymberin që ra për të njëjtën arsye vite më parë nuk do të harrohet kurrë.
“Prandaj, ne do ta kujtojmë gjithmonë Afrim Bunjakun, ashtu siç e kujtojmë edhe Enver Zymberin, i cili ra për të njëjtin qëllim 13 vite më parë. Këto janë idealet të cilat i kultivojnë dhe i ushqejnë heronjtë tonë e të cilët ne nuk do t’i harrojmë kurrë. Lavdi Afrim Bunjakut! Lavdi Enver Zymberit! Lavdi të gjithë atyre që e dhanë jetën për lirinë dhe mbrojtjen e territorit dhe të tokave tona të shenjta!”.