Hajnat marrin mbi 2,500 euro nga një pompë derivatesh në Prishtinë

Një grabitje e armatosur është raportuar në orët e para të mëngjesit të së premtes në Prishtinë, ku dy persona të maskuar kanë arritur të marrin mijëra euro nga një pompë derivatesh pasi kanë kërcënuar punonjësit me thikë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 20 qershor 2026, rreth orës 02:50, në rrugën “Ramiz Cernica” në Prishtinë. Dy punëtorët e pompës së derivateve kanë deklaruar se, derisa ndodheshin në vendin e tyre të punës, në objekt kanë hyrë dy persona të maskuar.
Nën kërcënimin e një arme të ftohtë (thikë), të dyshuarit kanë arritur të marrin para të gatshme në vlerë prej rreth 2,539.64 eurosh, ndërsa më pas janë larguar në drejtim të panjohur.



