Tragjedi në Shkëmbin e Kavajës, mbytet një 50-vjeçar në det

Një ngjarje tragjike është regjistruar pasditen e së hënës në zonën e Shkëmbit të Kavajës, ku një 50-vjeçar ka humbur jetën pasi u mbyt në det.
Sipas informacioneve paraprake, burri dyshohet se ka pësuar mbytje teksa ndodhej në ujë. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe ekipet e urgjencës mjekësore, të cilat kanë nisur veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi identitetin e viktimës apo shkaqet që çuan në humbjen e jetës së tij, ndërsa hetimet janë në vijim.
Kjo është ngjarja e dytë fatale e regjistruar brenda pak ditësh në këtë zonë bregdetare. Vetëm dy ditë më parë, një 11-vjeçar humbi jetën pasi u mbyt në det, një rast që tronditi opinionin publik dhe riktheu në vëmendje çështjen e sigurisë në plazhe gjatë sezonit veror.
Autoritetet pritet të dalin me informacione shtesë në orët në vijim, ndërsa ngjarja ka shkaktuar shqetësim te pushuesit dhe banorët e zonës.


