Trepça rikthen në menaxhim lokalin “Tuneli” në qendër të Prishtinës

Ndërmarrja publike “Trepça” ka njoftuar se ka kthyer në menaxhim një nga “pronat më atraktive dhe me potencial të lartë ekonomik” në kryeqytet. Kjo pronë, siç bëhet e ditur, është në rrugën “Johan V. Hahn”, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.Vlera e tregut të saj, sipas njoftimit, është mbi 900 mijë euro.
Në të përfshihet një lokal afarist me sipërfaqe prej 190.75 metra katror.“Prona përfshin një lokal afarist me sipërfaqe prej 190.75 m², të përbërë nga hapësira kryesore e lokalit, zyra, nyje sanitare dhe hyrje, si dhe një terasë prej 47 m². Hapësira njihet për publikun si (Tuneli) një prej lokaleve me traditë në qendër të Prishtinës”, thuhet në njoftim.
Sipas Trepçës, ky rikthim nuk përfaqëson vetëm një fitore juridike dhe institucionale, por edhe një mundësi konkrete për krijimin e të hyrave të qëndrueshme dhe përmirësimin e performancës financiare të ndërmarrjes.“Ky është një sukses i radhës në përpjekjet për identifikimin, mbrojtjen, rikthimin dhe funksionalizimin e pronave të Trepçës, duke forcuar bazën ekonomike dhe pasurinë e saj për brezat e ardhshëm”, theksohet në njoftim.


