Policia jep detaje për aksidentin në Malishevë, katër persona kërkuan ndihmë mjekësore

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me aksidentin e trafikut që ndodhi mesditën e sotme në qendër të Malishevës.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, ka konfirmuar për IndeksOnline se në aksident janë përfshirë tri vetura, ndërsa katër persona kanë pësuar lëndime dhe kanë pranuar trajtim mjekësor.
“Rreth orës 13:10 kemi pranuar informatën për një aksident trafiku në rrugën ‘Ibrahim Mazreku’ në Malishevë. Në aksident janë përfshirë tri vetura dhe si pasojë, deri tani, katër persona kanë pranuar trajtim mjekësor. Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor është duke e trajtuar rastin”, ka deklaruar Krasniqi.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, të cilat po hetojnë rrethanat që çuan deri te aksidenti. Ende nuk janë bërë të ditura shkaqet e përplasjes.


