Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut me aksion ndaj kriptovalutave dhe këmbimoreve

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në kuadër të zbatimit të planit operacional për mbikëqyrjen e tregut, ka filluar sot aksionin e inspektimeve ndaj bizneseve që ushtrojnë veprimtari në fushën e kriptovalutave dhe këmbimoreve.

Sipas njoftimit për media Inspektimet janë zhvilluar në komunat e Prishtinës, Gjilanit, Gjakovës, Prizrenit, Podujevës, Rahovecit dhe Suharekës, me qëllim të verifikimit të përmbushjes së kërkesave ligjore për ushtrimin e kësaj veprimtarie.

Gjatë ditës së parë të aksionit janë inspektuar 16 biznese, ku ndaj 6 subjekteve është shqiptuar masa e ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë për shkak të mungesës së dokumentacionit të detyrueshëm, kryesisht mungesës së pëlqimit për përmbushjen e kushteve minimale teknike, si dhe ndaj 6 bizneseve tjera janë shqiptuar gjoba për mungesën e dokumentacionit ligjor.

Po ashtu është bërë e ditur se në kuadër të planit operacional, IQMT do të inspektojë mbi 268 biznese të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), të cilat kanë të regjistruar kodin për ndërmjetësime tjera monetare.

IQMT u bën thirrje të gjitha subjekteve ekonomike që ushtrojnë këtë veprimtari të sigurojnë përmbushjen e të gjitha kërkesave ligjore, duke aplikuar për pëlqimin e kushteve minimale teknike në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), si dhe duke u pajisur me licencën përkatëse nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), sipas legjislacionit në fuqi.

Artikuj të tjerë

Back to top button