Mbi dy orë diskutime me Abdixhikun dhe Osmanin: “Ndërmarrje e madhe dhe e gjerë”, çfarë paralajmëroi Kurti?

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, janë takuar me dy liderët e partive ish-opozitare, Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun. Ky i fundit në takim ishte i shoqëruar edhe nga ish-presidentja Vjosa Osmani.
Kurti fillimisht u takua mëngjesin e së premtes me Bedri Hamzën e PDK-së. Edhe pse me tone më të moderuara, ndryshe nga herët e kaluara, Kurti ishte i matur në deklarimet pas takimit.
Hamza ishte i qartë menjëherë pas takimit. Ai tha se Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur që këtë mandat të qëndrojë në opozitë, ndërsa i uroi suksese Kurtit dhe të tjerëve.
Në anën tjetër, lideri i LDK-së, të cilit po i lëkundet karrigia brenda partisë mes pakënaqësive të shumta, së bashku me ish-aleaten e Kurtit, Vjosa Osmani, shkoi në takim me kryeministrin në detyrë dhe liderin e VV-së, Albin Kurti.
Kurti, pas takimit me Abdixhikun, premtoi se do të jetë transparent, por theksoi se bisedimet do të kenë edhe një shkallë konfidencialiteti, pasi, sipas tij, ato duhet të rezultojnë me të arritura konkrete.
Ai tha se bisedimet po zhvillohen rreth koncepteve, parimeve, afateve dhe funksioneve, duke lënë të kuptohet se synimi është një marrëveshje më e gjerë politike.
“Jam me shpresë që racionaliteti, i cili po mbizotëron, do të vazhdojë të ekzistojë në këto takime. Prandaj po e theksoj se ky është takimi i parë dhe do të kemi edhe takime të tjera. Në njërën anë po diskutojmë koncepte e parime, ndërsa në anën tjetër edhe orare dhe funksione. Prandaj, është një ndërmarrje e madhe dhe e gjerë, e cila kërkon besim e mirëbesim dhe e cila kërkon kohë për realizim. Kemi diskutuar edhe për Qeverinë, edhe për Kuvendin, kemi diskutuar edhe për presidentin, për shkak se tash po koincidojnë në të njëjtën kohë. Por po e ritheksoj edhe një herë se fokusi ynë ka qenë më shumë te zhvillimet aktuale politike, orari i konstituimit të institucioneve dhe zhvillimet që po ndodhin në Kosovë, në dritën e rezultatit që kemi pasur”, u shpreh Kurti.
Ndërkaq, Abdixhiku tha se në takim është folur për stabilitetin e domosdoshëm institucional, me qëllim që të shmangen zgjedhjet e reja të parakohshme, të cilat do të ishin të katërtat me radhë në më pak se një vit e gjysmë.
“Në këtë frymë u angazhuam për diskutime rreth parimeve thelbësore mbi të cilat duhet të zhvillohen këto diskutime, vlerave dhe ideve programore për të cilat të dyja palët kanë interes. Në këtë fazë u dakorduam të vazhdojmë tutje me komunikimin, si forma e vetme për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme në vendin tonë. Nuk kemi arritur të flasim për emra të përveçëm, por po flasim për procese dhe për dakordimin që, pas diskutimeve të takimit të parë, të vazhdojmë edhe tutje të përpiqemi të gjejmë marrëveshje”, u shpreh Abdixhiku.
Ai shtoi se ka kohë të mjaftueshme përpara për t’i shteruar diskutimet.
“I kemi 30 ditë kohë për thirrjen e seancës së Kuvendit të Republikës dhe më pas i kemi edhe 60 ditë kohë për zgjedhjen e presidentit. E rëndësishme është që po flasim para se të ndërmerren hapa të njëanshëm për formimin e institucioneve dhe kjo më jep shpresë”, ka thënë ai.
Megjithatë, as Kurti e as Abdixhiku nuk folën për emra konkretë të kandidatëve për president, ndonëse kjo është ndoshta çështja më e rëndësishme e këtyre diskutimeve, meqë herën e fundit ishte pikërisht posti i presidentit ai që e çoi Kosovën në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Ajo që u kuptua nga këto takime, veçanërisht nga ai me Abdixhikun, ishte sinjali që dha Kurti kur e cilësoi procesin si “një ndërmarrje e madhe dhe e gjerë”.
Edhe LDK-ja, në anën tjetër, ka bërë të qartë se zgjedhjet e reja nuk janë opsion.



