Kolgeci i LDK-së, padit Drejtorin e Urbanizmit në Suharekë
Asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Selman Kolgeci ka paditur drejtorin e urbanizmit në Suharekë, Visar Kuçin pasi ky i fundit ka akuzuar se Kolgeci posedon shtëpinë e tij në pronë të komunës së Suharekës.
Kolgeci në një postim në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se ka ngritur padi nga Kuçit.
“Të dashur qytetarë j’u njoftoj që i kam realizuar diskutimet fillestare me avokatin tim në lidhje me shpifjet që i ka bërë drejtori i urbanizmit kundrejt meje, po ashtu, kam angazhuar edhe një expert të licensuar të gjeodezisë në mënyrë që ta sqarojë sa më mirë këtë shpifje të tijë. Forma më perfide për tu nxjerr nga debati dhe përballja e drejtpërdrejtë për shkeljet e kësaj qeverisje lokale është shpifja, por kjo nuk kalon”, ka shkruar Kolgeci.
Tutje ai ka thënë se prona është në kontest mes një fqinje të tij.
“Megjithatë, të bashkangjitur e keni këtë dokument ku tregon qartë që shtëpinë qe e kam trasheguar nga prindi im, e ndërtuar në vitin 2000, shtëpi kjo e cila nuk prekë askund në pronën publike, por është kontest me fqinjën time N.K, kontest i cili është vetëm në dokumenta, por së shpejti do të rregullohet sepse kemi bërë marrveshje për këtë temë”, ka shkruar Kolgeci.