Rama i kërkon sqarim Jeta Xharrës: Kush është autori me emrin “Lule Gjeli”, të pres deri të hënën duhet llogaridhënie publike

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar nga mediumi “Kallxo.com” dhe drejtoresha Jeta Xharra që të sqarojë se kush është personi prapa profilit “Lule Gjeli”, pasi ky medium kishte publikuar një opinion me autor me këtë emër.
Ai kërkon që institucionet dhe organizatat e përmendura të sqarojnë autorësinë e profilit, bashkëpunimin e mundshëm me të, periudhën dhe mënyrën e angazhimit, si dhe nëse aktiviteti është financuar me fonde publike.
Publikimi i analizës nga profili famëkeq fiktiv “Lule Gjeli” në Kallxocom, medium që drejton Jeta Xharra, është alarm i frikshëm për shkelje të rëndë të standardeve etike dhe ligjore dhe ngre pikëpyetje serioze që meritojnë përgjigje të qarta dhe publike!”, shkroi Rama.
Ai kërkoi nga Xharra, sqarim dhe tha se këtë duhet ta bëjë deri të hënën përndryshe Komuna e Prishtinës do ta shqyrtojë bashkëpunimin me të.
Postimi i plotë i Ramës:
Publikimi i analizës nga profili famëkeq fiktiv “Lule Gjeli” në Kallxocom, medium që drejton Jeta Xharra, është alarm i frikshëm për shkelje të rëndë të standardeve etike dhe ligjore dhe ngre pikëpyetje serioze që meritojnë përgjigje të qarta dhe publike!
Në emër të transparencës dhe llogaridhënies publike, i bëj thirrje BIRN Kosovës, Kallxocom, Interneës Kosova dhe drejtoreshës Jeta Xharra që të sqarojnë publikisht këto çështje:
- Kush është autori me emrin “Lule Gjeli”?
- Çfarë bashkëpunimi tjetër kanë pasur me Lule Gjeli?
- Në cilën periudhë kohore ka bashkëpunuar me të, sa ka zgjatur ky bashkëpunim, a është paguar ajo/ai për publikimet e saj dhe me çfarë fondesh është paguar?
- A ka qenë ndonjë politikan i përfshirë në diskutimet gjatë angazhimit të Lule Gjelit në publikimin e “opinioneve” pro qeveritare?
- A do t’i kërkoni falje qindra viktimave, një prej të cilave jam edhe unë, për dëmin që u ka shkaktuar profili Lule Gjeli?
Unë pres reagim dhe sqarim publik më se largu deri të hënën. Deri atëherë, dhe derisa këto çështje të jenë sqaruar plotësisht, në mënyrë transparente dhe bindëse, Kryeqyteti do të rishqyrtojë çdo formë të bashkëpunimit dhe mbështetjes institucionale me BIRN Kosovën. Nëse sqarimet nuk i përmbushin standardet e transparencës që qytetarët meritojnë, do të kërkoj ndërprerjen e çdo bashkëpunimi institucional me BIRN Kosovën.
Institucionet publike kanë detyrim të mbrojnë jo vetëm resurset publike, por edhe interesin publik dhe besimin e qytetarëve!
Për këtë arsye, Kryeqyteti nuk mund të vazhdojë të ofrojë mbështetje institucionale për asnjë organizatë ndaj së cilës ekzistojnë dyshime serioze dhe të pazgjidhura lidhur me përkushtimin e saj ndaj interesit publik, llogaridhënies demokratike dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar Republika e Kosovës.
Paraja publike dhe hapësirat publike u përkasin qytetarëve. Ato administrohen ekskluzivisht në funksion të interesit të tyre dhe nuk mund të vihen në dispozicion të askujt derisa të jenë adresuar dhe sqaruar plotësisht çështjet që cenojnë besimin publik, shkroi Rama në Facebook.



