Rama reagon ndaj publikimeve të fundit: Në shënjestër përveç meje kanë dhe bashkëpunëtorët e mi dhe bashkëshorten time

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar në rrjetin e tij social Facebook, pas publikimit të pretendimeve të fundit që lidhen me të dhe bashkëpunëtorët e tij, duke thënë se fushata ndaj tij ka kaluar nga sulmet politike në sulme personale ndaj familjes së tij.

Përmes një reagimi publik, Rama tha se prej një kohe është përballur me një “fushatë të orkestruar politike” që, sipas tij, synon ta intimidojë dhe diskreditojë, ndërsa shtoi se ditët e fundit në shënjestër kanë qenë edhe bashkëpunëtorët dhe bashkëshortja e tij.“Kur një betejë politike zbret në shpifje, fyerje dhe denigrim të familjarëve e njerëzve që nuk janë pjesë e përplasjes politike, nuk kemi më debat demokratik dhe as llogaridhënie. Kemi një përpjekje të vetëdijshme për të frikësuar, për të ushtruar presion dhe për të goditur përmes njerëzve më të afërt”, ka shkruar Rama.

Ai është shprehur se mirëpret trajtimin e çdo pretendimi për interes publik nga institucionet e drejtësisë, por ka kundërshtuar, siç ka thënë ai, përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe denigrimit nën arsyetimin e interesit publik.“Po të ishte vërtet ky qëllimi, njerëzit që nuk kanë asnjë lidhje me pretendimet e ngritura nuk do të ishin bërë pjesë e një sulmi kaq të ulët dhe kaq të neveritshëm” ,është shprehur ai.

Rama ka reaguar edhe ndaj asaj që, sipas tij, kjo çështje është përdorur si instrument politik në mbledhjen e Asamblesë së Kryeqytetit, duke e cilësuar këtë si dëshmi të degradimit të debatit publik.Ai ka paralajmëruar se rasti do të ndiqet deri në instancat më të larta të drejtësisë.

“Shteti ligjor nuk mund të lejojë që linçimi dhe denigrimi të përdoren si instrumente të veprimit politik. Kjo nuk është më politikë. Është çnjerëzore!” përfundoi ai.

Artikuj të tjerë

Back to top button