
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka kontribuar në një operacion ndërkombëtar kundër trafikimit ndërkufitar të narkotikëve, i cili ka rezultuar me arrestimin e dy personave dhe sekuestrimin e rreth 325 kilogramë marihuanë në Selanik të Greqisë.
Sipas Policisë së Kosovës, droga kishte destinacion Turqinë, ndërsa operacioni është zhvilluar pas një hetimi të gjatë dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të disa shteteve.
Në këtë operacion kanë bashkëpunuar Policia e Kosovës, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, si dhe autoritetet e Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.
Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve, ka marrë pjesë në shkëmbimin e informacioneve dhe koordinimin operacional që ka kontribuar në rezultatet e këtij operacioni.
Në kuadër të hetimeve, edhe në territorin e Kosovës janë ndërmarrë veprime policore dhe procedurale, ndërsa rasti vazhdon të jetë nën hetim.
“Ky operacion dëshmon se krimi i organizuar nuk njeh kufij dhe se bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor për goditjen e rrjeteve kriminale”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Sipas Policisë, operacioni “ORIENTI” paraqet një tjetër dëshmi të kapaciteteve dhe profesionalizmit të institucioneve kosovare në luftën kundër trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve.
Policia ka theksuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe të përfshirjes së Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, përfshirë INTERPOL-in, me qëllim të luftimit më efektiv të krimit ndërkufitar.



