Kusari-Lila: Gjakova drejt krijimit të Eco Parkut Industrial, ndërtimi pritet të nisë vitin e ardhshëm

Mbi 50 biznese të Gjakovës kanë marrë pjesë në një takim ku është diskutuar për projektin e Eco Parkut Industrial në hapësirat e ish-ndërmarrjeve “Metaliku” dhe “Virxhinia”.


Kështu ka bërë të ditur ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se takimi me bizneset ka pasur për qëllim dëgjimin e kërkesave dhe nevojave të tyre lidhur me projektin.
Sipas saj, pas miratimit nga Qeveria e Kosovës më 22 maj 2026 të shqyrtimit paraprak për shpronësimin e ndërmarrjeve shoqërore “Metaliku” dhe “Virxhinia”, hapi i radhës është hartimi i vizionit për parkun e ri industrial në bashkëpunim me bizneset lokale.


Kusari-Lila bëri të ditur se kërkesat kryesore të bizneseve kanë të bëjnë me infrastrukturën, furnizimin me energji, hapësirat e përbashkëta dhe kushtet e punës brenda parkut.
Sipas planit, hapësira e “Metalikut” pritet të fokusohet kryesisht në sektorin e metalit, industrinë e ndërtimit dhe industri të ngjashme, ndërsa “Virxhinia” në industrinë e plastikës, paketimit ushqimor dhe industri të tjera të lehta.
“Parku do të konceptohet me qendër të përbashkët për shërbime biznesi, energji efiçiente, panele solare me hapësirë për bateri, si dhe impiant për trajtimin e ujërave të zeza.

Hapësirat ekzistuese do të transformohen dhe modernizohen sipas nevojave të bizneseve. Në vjeshtë pritet të nisë studimi i fizibilitetit, ndërsa synimi është që, pas përfundimit të planifikimit dhe marrëveshjes me IFC-në, gjatë vitit të ardhshëm të fillojmë ndërtimin e Eco Parkut Industrial në Gjakovë. Me ndërtimin e këtij parku, bizneset rezidente do të kenë më shumë siguri dhe perspektivë, përmes shfrytëzimit afatgjatë të hapësirave dhe jo më përmes kontratave njëvjeçare”, ka shkruar Kusari-Lila një Facebook.
Gjatë vizitës në Gjakovë, Kusari-Lila ka vizituar edhe hapësirat e “Virxhinias” dhe “Metalikut”, duke thënë se infrastruktura aktuale e vjetër synohet të transformohet në një park industrial modern.


Sipas saj, projekti pritet të kontribuojë në zhvillimin e ekonomisë lokale, krijimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e kushteve për bizneset vendore dhe investimet e huaja.

Artikuj të tjerë

Back to top button