Liria ka Emer, organizon “Natën e Pritjes” për UÇK-në me 15 shtator

Platforma qytetare “Liria ka Emër” ka prezantuar sot aktivitetet që do të zhvillohen në Kosovë dhe në Hagë në prag të 16 shtatorit, kur pritet shpallja e aktgjykimit në çështjen ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në konferencën për media folën përfaqësuesit e platformës, Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha.

Tasholli bëri të ditur se platforma po përgatit organizimin e një tubimi paqësor në Hagë, së bashku me mërgatën shqiptare. Sipas planifikimit, tubimi do të nisë më 15 shtator, në orën 22:00, dhe do të vazhdojë gjatë natës deri më 16 shtator, në orën 10:00, kur pritet shpallja e vendimit.

“Më 15 shtator duam ta shndërrojmë Hagën në një ‘Natë të Pritjes’. Së bashku me mërgatën tonë do të qëndrojmë aty gjatë natës, në mënyrë paqësore, dinjitoze dhe të organizuar, deri në momentin e shpalljes së vendimit. Kosova dhe diaspora do të presin bashkë”, tha Tasholli.

Ai u bëri thirrje shqiptarëve në diasporë që, aty ku kanë mundësi, të organizohen dhe t’i bashkohen tubimit, duke theksuar se kërkesa përkatëse do t’u dorëzohet autoriteteve kompetente në Hagë dhe se aktiviteti do të zhvillohet në respekt të plotë të ligjeve, rregullave dhe udhëzimeve të autoriteteve holandeze.

Tasholli theksoi se organizatorët do të bashkëpunojnë me përfaqësuesit e mërgatës dhe autoritetet kompetente për të garantuar karakterin paqësor dhe dinjitoz të tubimit, respektimin e masave të sigurisë dhe ruajtjen e rendit.

Ndërkaq, Eliza Hoxha prezantoi aktivitetet që platforma “Liria ka Emër” po zhvillon në Kosovë dhe bashkëpunimin me komunat.

Ajo falënderoi Komunën e Prishtinës, Skenderajt, Vushtrrisë, Vitisë dhe Prizrenit për bashkëpunimin në lansimin e orëve të numërimit mbrapsht, si dhe për aktivitetet dhe stolisjen e hapësirave publike.

“Nga Prishtina në Skenderaj, Vushtrri, Viti e Prizren, ‘Ora e Pritjes’ po përçon një mesazh të përbashkët: Kosova po pret. Ftojmë të gjitha komunat e Republikës së Kosovës t’i bashkohen kësaj nisme, që ditët deri më 16 shtator të na gjejnë të bashkuar në mbështetje të çlirimtarëve tanë”, tha Hoxha.

Hoxha bëri të ditur se me komuna të tjera tashmë janë duke u koordinuar datat për lansimin e orëve të numërimit mbrapsht. Ajo u bëri thirrje komunave që t’i bashkohen nismës edhe përmes stolisjes së hapësirave publike me flamuj dhe simbole të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Platforma gjithashtu u është drejtuar komunave dhe drejtorive komunale të arsimit me kërkesën që java e parë e procesit mësimor t’i kushtohet historisë së luftës çlirimtare dhe UÇK-së, përmes aktiviteteve edukative në shkollat e Kosovës.

“Brezi i ri duhet ta njohë historinë e vendit të vet, sakrificën për liri dhe rrugën që na solli deri te shteti i Kosovës. Kujtesa për luftën çlirimtare nuk është çështje e një partie apo një gjenerate – është përgjegjësi e përbashkët ndaj historisë sonë”, tha Hoxha.

Platforma qytetare “Liria ka Emër” njoftoi se aktivitetet do të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim në komunat e Kosovës dhe në diasporë, krahas përgatitjeve për Marshin për Liri më 12 shtator në Prishtinë dhe “Natën e Pritjes” më 15 dhe 16 shtator në Hagë.

Artikuj të tjerë

Back to top button