Për 24 orë: 32 vatra zjarri në Shqipëri, 11 ende aktive

Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri ka bërë bilancin e situatës së zjarreve gjatë 24 orëve të fundit, ku janë raportuar gjithsej 32 vatra.

Sipas të dhënave zyrtare, 11 vatra vijojnë të jenë aktive, 5 janë nën mbikëqyrje, ndërsa 16 janë shuar plotësisht.

Për përballimin e situatës janë angazhuar në terren 735 forca vendore dhe 64 automjete zjarrfikëse. Në operacione janë përfshirë edhe Forcat e Armatosura, me 475 efektivë, 7 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe një avion Air Tractor.

Për ditën e sotme është planifikuar angazhimi i 160 efektivëve ushtarakë në zonat ku ndërhyrjet vijojnë.

Një prej zonave ku po vijon ndërhyrja është Mali i Dajtit, ku krahas strukturave bashkiake janë angazhuar 77 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter.

Ndërkohë, operacioni për shuarjen e zjarrit në Himarë është përmbyllur me sukses.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera.

Kapacitetet operacionale mbeten në gatishmëri dhe të angazhuara në terren, me fokus kryesor mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave, pasurisë dhe mjedisit.

Artikuj të tjerë

Back to top button