Kurti kërkon marrëveshje me PDK-në e LDK-në: Të dakordohemi për nënkryetarët, pastaj të formohet Qeveria

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë thirrje për dakordim mes partive politike për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit, pas ndërprerjes së seancës konstituive.


Kurti tha se me zgjedhjen e Albulena Haxhiut në krye të Kuvendit ka nisur procesi i konstituimit të Legjislaturës së 11-të, ndërsa për përmbylljen e tij mbetet zgjedhja e nënkryetarëve.


“Së pari u zgjodh Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit të Legjislaturës së 11-të. Me këtë rast filloi konstituimi i Kuvendit. Që të përmbyllet me sukses të plotë, duhet t’i zgjedhim edhe nënkryetarët. Për këtë nevojitet dakordim”, tha Kurti.

Ai bëri të ditur se është në kontakt me drejtuesit e LDK-së dhe PDK-së për të arritur një marrëveshje rreth zgjedhjes së nënkryetarëve.


“Unë jam në kontakt përveç se me kryetarin e LDK-së i kam shkruar edhe atij të PDK-së që të takohemi dhe në këtë mënyrë të kemi dakordim edhe për zgjedhjen e nënnëkryetarëve. Le te jemi pozitiv dhe konstruktiv dhe në këtë mënyrë të kemi kuvend të konstituar, shpejt qeveri të formuar dhe të kalojmë të zgjedhja e presidentit që duhet të bëhet që ‘ti evitojmë zgjedhjet e reja”, ka thënë ai.

Artikuj të tjerë

Back to top button