
Gjykata e Apelit në Prishtinë ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Trepçës SH.A. dhe ka lënë në fuqi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, që detyron ndërmarrjen të rikthejë Gëzim Mustafën në pozitën e Drejtorit të Flotacionit.
Gjykata e Apelit ka vlerësuar se pretendimet e Trepçës nuk qëndrojnë dhe se Gjykata Themelore në Mitrovicë ka vendosur drejt kur ka aprovuar kërkesëpadinë e Mustafës.
Në shkallën e parë, Gjykata Themelore në Mitrovicë kishte anuluar vendimin nr. 5792, të 25 shtatorit 2024, të ushtruesit të detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të Trepçës SH.A.

Çështja më pas kishte kaluar në Gjykatën e Apelit, pasi Trepça e kishte kundërshtuar vendimin e shkallës së parë, duke pretenduar se gjykata kishte bërë shkelje në vlerësimin e gjendjes faktike dhe në zbatimin e ligjit.
Sipas gjykatës, rregullat e brendshme të Trepçës parashikojnë që transferimi i një punonjësi nga një njësi biznesore në tjetrën duhet të bëhet me kërkesë të udhëheqësit të njësisë përkatëse dhe me miratimin e strukturës përgjegjëse.

Në rastin e Mustafës, gjykata ka konstatuar se një kërkesë e tillë nuk ishte bërë.
Gjykata ka shqyrtuar edhe arsyetimin e përdorur nga Trepça për largimin e Mustafës nga pozita e drejtorit.

Në vendimin për transferim ishte përmendur nevoja për menaxhim më të mirë, ndërsa çështja ishte lidhur edhe me analizën e punës në Flotacionin “Tuneli i Parë” për vitin 2024.
Megjithatë, sipas Apelit, ndaj Mustafës nuk ishte zhvilluar procedurë disiplinore për të përcaktuar nëse kishte kryer ndonjë shkelje.
Gjykata ka marrë në konsideratë edhe provat e administruara gjatë procesit gjyqësor, nga të cilat, sipas aktgjykimit, performanca e Mustafës rezultonte e lartë.
Me lënien në fuqi të aktgjykimit të shkallës së parë, Trepça është e detyruar që Gëzim Mustafën ta rikthejë në vendin e tij të mëparshëm të punës, si Drejtor i Flotacionit në njësinë e biznesit “Miniera me Flotacion Trepça-Stantërg”, në përputhje me kontratën e punës të datës 31 korrik 2023.
Përveç rikthimit në detyrën e mëparshme, Gjykata Themelore kishte detyruar Trepçën të kompensojë edhe dëmin financiar të shkaktuar nga ndryshimi i pozitës së punës.
Në aktgjykim përcaktohet shuma prej 544.34 eurosh, së bashku me kamatën ligjore prej 8 për qind, si dhe detyrimet që lidhen me kontributet pensionale dhe tatimin në burim.



