
Policia e Kosovës ka përzgjedhur operatorin ekonomik për furnizimin me rripa policorë dhe mbajtës shtesë të rripave, në një tender që fillimisht ishte parashikuar të kushtonte 22 mijë euro.
Sipas njoftimit mbi vendimin e Autoritetit Kontraktues, kontrata i është dhënë operatorit “Arben Mashkulli B.I.” nga Prizreni, me ofertë totale prej 11 mijë e 800 eurosh.
Në këtë procedurë kishin konkurruar pesë operatorë ekonomikë. Ofertat varionin nga 11,800 deri në 19,500 euro, ndërsa oferta fituese ishte më e ulëta.Krahasuar me vlerën e parashikuar prej 22 mijë eurosh, kontrata është dhënë për 10 mijë e 200 euro më pak, apo rreth 46 për qind nën vlerën e planifikuar.
Dosja e tenderit parasheh furnizimin me 500 rripa pune për zyrtarët policorë dhe 500 sete me nga katër mbajtës shtesë për rripin.Për rripat ishte kërkuar, ndër të tjera, që secila pjesë të jetë e fortë dhe me dy shtresa, ndërsa me ofertën duhej të dorëzohej edhe certifikata CE.
Mbajtësit shtesë, sipas specifikimeve, duhet të jenë të prodhuar nga material Cordura 1000 denier dhe të kenë mekanizëm për mbyllje rezistent ndaj goditjes, presionit dhe ndryshkut.Kriteri i përcaktuar për dhënien e kontratës ishte çmimi më i ulët, me kusht që oferta të ishte e përgjegjshme dhe të plotësonte kërkesat teknike të tenderit.
Dokumentet e vendimit tregojnë se ofertues të tjerë janë eliminuar për arsye që lidhen me mosplotësimin e specifikimeve të mostrave, dimensionet e mbajtësve, mungesën e certifikatës CE apo kërkesat për vlefshmërinë e tenderit.
Afati i paraparë për furnizimin është 30 ditë kalendarike, ndërsa mallrat duhet të dorëzohen në Bazën e Logjistikës së Policisë së Kosovës.



