
Një dërgesë me trëndafila nga Kolumbia ka përfunduar në qendër të një operacioni të madh antidrogë në Greqi, pasi autoritetet zbuluan 84 kilogramë kokainë të fshehur brenda saj.
Sekuestrimi është bërë të mërkurën në Aeroportin Ndërkombëtar të Athinës, ndërsa autoritetet korrigjuan shifrën fillestare prej 100 kilogramësh, duke konfirmuar se sasia e drogës ishte 84 kilogramë.
Operacioni nisi pas informacioneve të siguruara nga zyra e Administratës Amerikane Kundër Drogës, DEA, në Athinë.
Në total janë arrestuar gjashtë persona, shumica prej tyre shtetas shqiptarë
Katër të dyshuar u arrestuan në aeroport, ku sipas autoriteteve po përgatiteshin ta merrnin dërgesën.
Dy persona të tjerë u arrestuan në zonën e Maratonës, në verilindje të Athinës, ku dyshohet se droga do të magazinohej.
Operacioni u zhvillua nga oficerët e Autoritetit të Pavarur për të Ardhurat Publike të Greqisë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Krimin e Organizuar të Policisë.Autoritetet greke nuk kanë dhënë ende detaje të tjera rreth të dyshuarve apo mënyrës së organizimit të dërgesës.



