
Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se nesër do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese siç u paralajmërua edhe gjatë ditës nga deputetë të këtij subjekti politik.
Në njoftim thuhet se do ta mbajnë një konferencë për media para Gjykatës Kushtetuese dhe do të tregohet për lëndën që do të dërgohet.
Megjithatë gjatë ditës, nga ky subjekt politik u tha se përveç për konstituimin e Kuvendit, Kushtetueses do t’i drejtohen edhe për formimin e Qeverisë Kurti 4.
Sot është votuar Qeveria Kurti 4 në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga Kuvendi i Kosovës.
Tetë votat kundër erdhën nga deputetët e Listës Serbe, derisa ata të PDK-së, LDK-së e Aleancës nuk morën pjesë në seancë.
Votimit të Qeverisë i ka hapur rrugë vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit, e mbajtur në orët e paradites.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ka shpallur të konstituuar legjislaturën e 11-të pa u zgjedhur nënkryetari nga radhët e PDK-së. Kjo parti e ka bojkotuar vazhdimin e seancës me arsyetimin se janë shkelur ligjet e Kushtetuta.



