Bajrami krikon VV: Pyetja nuk është më çka po premton Kurti, por pse nuk i bëri këto për gjashtë vjet

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për premtimet e bëra gjatë fushatës, duke thënë se pas gati gjashtë vitesh në pushtet, ai duhet të gjykohet për rezultatet dhe jo për premtimet.


Bajrami ka renditur një sërë çështjesh për të cilat, sipas saj, Kurti kishte premtuar ndryshime, por që nuk janë realizuar gjatë viteve të qeverisjes së tij.
Ajo ka përmendur ekonominë, punësimin, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit, arsimin, shëndetësinë, investimet kapitale, energjinë, investimet e huaja dhe integrimin evropian.

Sipas Bajramit, gjatë qeverisjes së Kurtit ka pasur rritje të çmimeve, largim të të rinjve dhe profesionistëve nga Kosova, mungesë të reformave në arsim dhe shëndetësi, vonesa në projektet kapitale si dhe probleme në sektorin energjetik.


Ajo ka kritikuar gjithashtu qeverisjen e Kurtit për marrëdhëniet me aleatët, procesin e dialogut me Serbinë dhe situatën institucionale në vend.
“Premtoi ndryshimin. E pati pushtetin. E pati shumicën. I pati të gjitha institucionet. I pati miliardat e buxhetit. E pati kohën. Gati gjashtë vjet”, ka shkruar Bajrami.


Sipas saj, Kurti sot u është drejtuar sërish qytetarëve me premtime të reja, ndonëse, siç pretendon ajo, kishte pasur mundësi t’i realizonte ato gjatë mandatit të kaluar.
“Pyetja nuk është më: Çka po premton Albin Kurti? Pyetja është: Pse nuk i bëri këto për gjashtë vjet?”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka përfunduar se pas gjashtë vitesh në pushtet, një qeveri duhet të gjykohet për rezultatet e arritura dhe jo vetëm për premtimet e saj.

Artikuj të tjerë

Back to top button